Fati jetësor dhe linjat artistike

Të dua e panjohur” – Eroll Velija

Filozofi jetike është ajo që e përvetëson shkrimtarin edhe brenda veprës. Aty ndodhet tërë universi shpirtëror që edhe forcën e heshtjes e bën shpërthyese. Në këtë ritëm idesh dhe përjetimesh përshkohen linjat e së përditshmes, ku jeta ofron ngjyrat e saj. Nën pushtetin e përsiatjes, vetë thelbi i individualizmit përkufizohet si “Njeriu dhe bota që s’flet”. Ato mendime të pështjelluara krijohen në raporte të pazbërthyeshme mjaftueshëm, midis jetës – njeriut – kohës.

Rutina e përditshmërisë dhe shpresa e përtej kohës janë sfilitëse… Ato të mbanë në grackë, të bëjnë të ndihesh sikur je midis akrepave të orës, e cila, edhe pse nganjëherë e çrregullt, t’i kurdis ikjet. Pastaj, ikjet nisin e bëhen të zakonshme, si vetë akrepat që ndonëse nuk reshtin kurrë së lëvizuri, prapë thellësisht mbeten ngulitur brenda orës së murit. Të këtillë e përshkruan jetën edhe autori i veprës, Eroll Velija, e tillë është jeta përgjithësisht, që nganjëherë të jep vetëbesim të mjaftueshëm, e vetëm ca çaste më pas të mbërthen në një botë dilemash. Atëherë, retorika autoriale sajon zbërthime, për ta mbajtur të pashuar edhe atë pak dritë shprese në ditët  e mugëta, ndonëse të nesërmen e afërt apo të ardhmen e largët, nganjëherë e ke të përfytyruar si në pasqyrë paradoksale. Është mision i vështirë ky i shkrimtarit.

Eroll Velija, kuptimisht një krijues paqësor, në veprën e fundit “Të dua e panjohur” krijon përmasa tjetër fare të filozofisë së individit mbi vijat e jetës, si burim njohjesh dhe frymëzimesh. Përvoja krijuese disa vjeçare, këtë shkrimtar e ka pajisur me urtinë që u paraprin perceptimeve të jetës, duke i radhitur të njëpasnjëshme veprat: “Rrugët e fatit” (poezi) – 1995, “Kush e zgjoi pranverën” (fabula) – 1995, “Çudirat nën vezullimin e yjeve” (fabula) – 1996, “Fluturat në pafundësi fluturojnë” (tregime) – 1996, “Përrallëzat e netëve të gjata” (fabula) -1997, “Kur sendet përmbysin heshtjen” (fabula) – 1999, “Njeriu dhe bota që s’flet” (fabula) – 2000, “Dashuria e hidhur” (publicistikë) – 2002, “Kodi enigmatik i universit” (analizë folozofike) – 2009. Botimi i fundit “Të dua e panjohur” është një vepër me prozë, që përpara lexuesit e sjellim përmes këtij vështrimi letrar.

Thuhet se, vepra letrare realizohet si shtytje e madhe shpirtërore dhe duhet të jetë gjithmonë në harmoni me gjendjen psikologjike të autorit drejt personazhit. Ai duhet të përkapë realitetin, ta përmbushë atë me dashuri për njerëzit dhe jetën. Ka plot njerëz që e kuptojnë të vërtetën si një koncept relativ të zakonshëm, mirëpo shkrimtari nuk duhet të harrojë kurrë se arti letrar është i bukur kur në themel ka ide, gjithaq të bukura.

Rrëfimet në veprën “Të dua e panjohur” tërësish janë shfaqje të dallueshme, që nga pasqyrimi i hollësishëm i ngjarjeve, pamje dhe vende të frekuentuara nga vetë autori për qytetin lindjes, thellësia e mendimit dhe lidhshmëria jetike, të cilat e formësojnë boshtin tematik. Megjithëse, metaforat në këto tregime, nuk shërbejnë vetëm si forma artistike mbretëruese, ato e kanë mprehtësinë e mjaftueshme sa ta drejtojnë lexuesin te qëllimi, ku padyshim fshihet mesazhi autorial. Ai mesazh derdhet si mendim i posaçëm, mbi realitetin dhe një shtytjeje të brendshme në shpërthim të mendimit dhe ndjesisë personale.

Në disa tregime, me sfond eseistik, si: “Copëza ëndrrash”, “Fati”, “I lodhur”, “Fluturat në pafundësi fluturojnë” dhe “Çudirat nën vezullimin e yjeve”, sikur e përvijojnë luftën gjinore, që nisi me zanafillën e njerëzimit, me Adamin dhe Evën, e sjellë në këtë vepër me zërin e përbotshëm përmes personazhit të Anxhelës, Anës, zonjës A. dhe shumë të tjera. Janë personazhe që tipizojnë periudha të jetës, çaste jetësore të vërtetash, edhe sajesash padyshim. Një realitet, sa të bukur, aq edhe të lodhur e të rënduar që reflektohet midis shprehjesh të fytyrës: me rrudhat e buzëve, shikimin reflektues si në bebëzat e syve të Sarës dhe buzëqeshjen, përkundrejt rrudhave të lëkurës, thinjave të flokëve, brengën në rrudhat e ballit, madje dhe syve plot xhelozi e ambicie. Të gjitha këto përshkrime të duken si arratisje nga historitë vetjake, ku pa rrëfime të stërzgjatura e dinamike, shpalosen absurde njerëzish me ndërgjegje të “boshatisur”, gjithmonë përmes një metode intuitiviste, që autori e përdor zakonisht.

Në tregimet: “Befasia”, “U takuam në një ditë me shi” dhe ndonjë tjetër mbase, shprehet pavarësi e plotë ndaj thelbit të jetës. Imazhe  të arrira artistike të japin emocion, edhe kur fjala i përket një simboli, si: vajzë, stinë, jetë, udhëtim, humbje, dëshpërim, lule, përqafime, kujtim! Pa hipostazat e mundshme të izolimit, tipizimi i personazhit femëror del i realtë, pa përjashtuar edhe ëndrrat që përvijon copëza jetësh e përshkojnë horizonte.

Po t’i rrekemi një zbërthimi kuptimor, të depërtojmë në kthetrat e sociales, duhet mbështetur në faktin që bota lindi mes dhimbjesh, ashtu si Zanafilla, e nga kjo shkrepje e njohëm lotin, vuajtjen, mëkatin, si përkundrejt tyre që e njohëm: buzëqeshjen, mëshirën…, jetën! E kjo është Jeta, me të gjitha drithërimat që sajon në ditët e mjegullta. Ashtu si vetë forca e dyzuar e personazheve të tregimeve.

Duhet pohuar që libri “Të dua e panjohur” ka vlerë artistike, me ndërlidhje normash estetike, të cilat si pjesë e artit, kurrë nuk janë të mjaftueshme. Në disa tregime është më e pranishme linja rrëfimore ndërmjet individuales dhe universales. Ca të tjera janë më filozofike, shfaqin aspiratën e vetë autorit për të njohur të tjerë nënqiej ngjarjesh e identitetesh, por gjithmonë në fokus të trajtesave është Njeriu dhe Njerëzorja brenda tij, duke osciluar me përafrinë dhe dhuntinë gjinore.

Përgjithësisht në tregime, më tepër ka rrëfim transparent ngjarjesh, interpretime moralizuese, monolog të brendshëm, tejet shprehës, sidomos tregimtari filozofike. Kjo pleksje, sipas Oscar Wilde, ka një shpjegim, gjegjësisht ai shprehet, se: “larmia e opinioneve në një vepër artistike tregon se vepra është e re, komplekse dhe plot jetë”.

Vepra “Të dua e panjohur”, me titullin tejet simbolik është produkt i përjetimi dhe njohjeje të psikologjisë njerëzore, i emocioneve të thella, i gdhendjes së fjalës artistike dhe i transmetimit të mesazhit. Andaj, t’i afrohesh sa më pranë synimeve dhe ndjenjave të autorit, për lexuesin, është si të ribësh së jashtmi udhën e tij. Kjo ndërlidhje: autor – lexues, është mishërim i universalizmit tematik që dëshmojnë për formimin kulturor të prozatorit, që mundet të perceptohet dhe zbërthehet nga lexuesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button