Kuvendi sot e vazhdon seancën konstituive

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta vazhdojë seancën konstituive në të cilën do të zgjidhet kryetari, zëvendësi i kryetarit, anëtarët dhe zëvendësit e tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Partitë parlamentare pas takimeve treditore në Kuvend, të enjten arritën marrëveshje që kryetari i Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të jetë nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas burimeve partiake, me siguri ai do të jetë Ilija Dimovski.

Sipas të dakorduarës paraprake nga partitë politike, VMRO-DPMNE-ja do të ketë gjashtë anëtarë në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, LSDM-ja pesë, ndërsa BDI-ja dhe Besa nga një anëtar.

Konfirmimi i propozimit për përbërje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për vazhdim të seancës konstituive kuvendore e cila filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre, për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të Dhomës Ligjdhënëse.

Në rend dite të seancës është edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për votimin e të cilit nevojiten 61 vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani deklaroi se pas analizave të brendshme, por edhe pas konsultimeve me partitë e tjera politike, është vendosur që kandidati i BDI-së, por edhe i shumicës parlamentare, për kryetar të Kuvendit të RM-së, të jetë Talat Xhaferi.

Për LSDM-në  e rëndësishme është që njeriu i parë i Parlemantit të ketë përvojë, ta njohë Parlamentin dhe demokracinë parlamentare.

“Për mua me rëndësi është gjithë partnerët potencial të besojmë në përzgjedhjen që do bëjmë. E nevojshme është që kryetari i Parlamentit të jetë njeri me kapacitet që ka përvojë dhe të ketë njohuri për pozicionin e ardhshëm, pasi demokracia nënkupton tolerancë dhe mirëkuptim”, thekson Zaev në bisedën për Kanal5.

Nga ana tjetër, Lëvizja Besa mbetet në qëndrimin se do të propozojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani thotë se kryesia qendrore e kësaj partie nuk ka marrë ndonjë vendim për mbështetje të kandidatit të propozuar nga BDI.

“Vendimi i fundit i kryesisë qëndrore të Lëvizjes Besa, është që ne të kemi kandidatin tonë për kryetar të Kuvendit dhe nuk kemi marrë asnjë vendim për të mbështetur Talat Xhaferin për kryetar të parlamentit. Ky vendim do të mbetet në fuqi deri sa kjo kryesi nuk merr ndonjë vendim tjetër”, tha Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa.

Lidhur me opsionet për të qenë ose jo pjesë e Qeverisë së re, Murtazani tha se çdo vendim pa u zhbllokuar procesi dhe pa pasur një mandatar, do të ishte vendim vetëm në bazë të dëshirës për pushtet.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët nuk dëshiron të komentojë për pjesëmarrje ose jo në Qeverinë e re të udhëhequr nga LSDM. Ndërsa, sa i përket postit të kryeparlamentarit, thonë se për Aleancën nuk është shumë me rëndësi se cili deputet shqiptar do të marrë këtë post.

“Nuk është aq e rëndësishme se cili deputet shqiptar do të ulet në vendin e kryeparlamentarit, e rëndësishme është që Aleanca për Shqiptarët ka sjellë dhe do të sjellë ndryshime rrënjësore dhe qasje pozitive në skenën politike në Maqedoni. Për hir të së vërtetës Aleanca ka refuzuar që në pozitën e kryeparlamentarit të ulet lideri i LRPDSH-së, Ziadin Sela. Me këtë i dërgojmë porosi tërë opinionit se qasja jonë është konceptuale dhe për interesa të gjëra kombëtare, por dhe qytetare dhe jo qasje individuale dhe për interesa të ngushta”, ka deklaruar Emir Sejfullai, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët.

Edhe VMRO-DPMNE ka lënë mundësi që të dalë me promozimin e saj.

Pas konstituimit të Komisionit për zgjedhje dhe emërim, që pritet të bëhet nesër, mund të hapet rruga që brenda javës që vjen të thirret vazhdimi i seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare. Për konstituimin e Kuvendit duhet të zgjidhet kryetari i ri, me 61 vota deputetësh. Kandidatët për kryetarë propozohen nga Komisioni për zgjedhje dhe emërim ose me iniciativë të 20 deputetëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button