Kosova në kualifikimet e Botërorit 2018
![Futbollistët e reprezentacionit të Kosovës](https://i1.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2014/05/2AFD2D958B41331F8689AAB6EEAC6DB7.jpg?fit=420%2C236&ssl=1)
Pritjes së gjatë të dashamirëve të futbollit kosovar që ta shohin kombëtaren e tyre në kualifikimet e ndonjë prej ngjarjeve më të mëdha të futbollit, shumë shpejt do t’i vijë fundi.
Telegrafi ka mësuar nga burime të sigurta brenda FIFA-s që ishin prezent në ndeshjen Kosovë – Haiti se përfaqësuesja jonë do të jetë shumë shpejt pjesë e kualifikimeve.
Një prej këtyre zyrtarëve të lartë të FIFA-s që ka pranuar të flasë për Telegrafin në kushte anonimiteti ka deklaruar se viti 2018 dhe kualifikimet e Botërorit 2018 do të shënojnë fundin e izolimit të futbollit kosovar.
“Ka mundësi të jetë 2022, por gjërat kanë filluar mirë. Nëse gjërat shkojnë kështu dhe shënohen përparime të vazhdueshme, atëherë me siguri se për Botërorin e vitit 2018, Kosova do të mund të luajë në kualifikime. Të gjithë e duam këtë, vetëm mbetet të shihet niveli i punëve që do të bëhen në organizimin e ndeshjeve, infrastrukturës dhe modaliteteve të tjera”, ka theksuar ky zyrtar i lartë.
Kosova e zhvilloi ndeshjen e parë pak ditë më parë ndaj Haitit duke barazuar pa gola, kurse më 21 maj përfaqësuesja e Kosovës do të përballet ndaj Turqisë në stadiumin “Adem Jashari.