Tetë të arrestuar pas sulmit në Londër

Tetë veta u arrestuan pas sulmit të së mërkurës në Londër, i cili la katër persona të vrarë, tha policia, shkruan REL, përcjell Portalb.mk.

Kreu i Komandës Anti-Terrorizëm, Mark Rowley, tha se qindra detektivë kanë punuar gjatë gjithë natës, duke bërë kërkime në gjashtë adresa.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se sulmuesi “ka vepruar i vetëm”, duke shtuar se ai ishte i lindur në Britani dhe është hetuar nga shërbimi i sigurisë MI5 “disa vite më parë”.

Të vrarët në sulm janë një grua në të 40-tat, një burrë në të 50-tat, polici Keith Palmer dhe sulmuesi, tha policia.

Shtatë nga të plagosurit janë ende në spital, në gjendje kritike, ndërsa 29 veta të tjerë janë trajtuar po ashtu.

Harta e vendit ku ka ndodhur sulmi

Sulmuesi goditi njerëzit me makinë, theri për vdekje një polic pranë Parlamentit britanik dhe më pas u vra nga policia.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se sulmi “i neveritshëm” goditi mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës.

“Terroristët zgjodhën të sulmojnë zemrën e kryeqytetit tonë, ku njerëz të të gjitha nacionaliteteve, feve dhe kulturave mblidhen për të gëzuar vlerat e lirisë, demokracisë dhe të lirisë së fjalës”, tha May.

May, pas një takimi urgjent me ekipin e sigurisë, tha se qeveria nuk do të rrisë nivelin e kërcënimit nga terrorizmi. Aktualisht, është i dyti më i larti, që do të thotë se “ka shumë gjasa të ndodhë një sulm”.

Sulmuesi nuk është identifikuar nga policia.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, tha se britanikët “nuk do të frikësohen nga terroristët”.

“Mesazhi im për ata që duan të na dëmtojnë dhe të na shkatërrojnë mënyrën e jetesës: Nuk do të keni sukses, nuk do të na ndani”, tha Khan.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump i ka ofruar kryeministres britanike, May, bashkëpunim të plotë në hetimin e sulmit.

Qyteti i Londrës dhe qeveria e Madhështisë së Saj kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane, për t’iu përgjigjur këtij sulmi dhe për t’i sjellë përgjegjësit përapara drejtësisë”, tha sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Dhuna jashtë Parlamentit britanik ka ndodhur në përvjetorin e parë të sulmeve në Bruksel, të cilat kanë lënë 32 veta të vrarë dhe mbi 300 të plagosur.

Ekstremistët e grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në kryeqytetin belg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button