Maqedoni, rritja e mbipeshës te fëmijët, dukuri shqetësuese!

Beteja për ushqim të shëndetshëm të fëmijëve kohës së fundit është ashpërsuar pasi Maqedonia filloi të ballafaqohet me rritjen e peshës së fëmijëve. Sipas të dhënave të Institutit për Shëndetësi Publike, te fëmijët është rritur pesha trupore për 63,1 për qind këtë vit, kurse mbipeshë janë 17,9 për qind e tyre, njofton Portalb.mk.

Shumica e fëmijëve blejnë ushqim të shpejtë në dyqanet në afërsi të shkollave gjë që ndikon mjaft negativisht ne shëndetin e tyre.

Për parandalimin e kësaj dukurie negative në disa shkolla thonë që ushqimin e përgatitin me kujdes, kurse në disa tjera nuk ka fare ushqim pasi që prindërit dhe fëmijët kanë vendosur që ushqimin ta marrin nga shtëpia.

“Në Maqedoni fatkeqësisht nuk është përhapur ende dukura e marrjes së ushqimit nga shtëpia. Madje disa këtë dukuri e paraqesin si primitive dhe vetëm ata që nuk i kanë kushtet që të blejnë ushqim në dyqane marrin nga shtëpia. Ky është një perceptim krejtësisht i gabuar nga vetë fëmijët dhe prindërit. Sugjerohet që fëmijët të ushqehen shëndetshëm, kur po të kalosh në afërsi të shkollave në vendin tonë, sheh se janë stërmbushur me dyqane të ushqimit të shpejtë, dhe në pushimin e gjatë të gjithë nxënësit i sheh me hamburger dhe ushqime jo të shëndetshme në duar. Kjo normal që ndikon në ngadalësimin e metabolizmit dhe paraqitjes në rritjes së peshës trupore e cila mund të humb kontrollin dhe të shndërrohen në obezitet”, tha për Portalb.mk, mjeku Agim Iseni.

Prindërit thonë se kujdesen për ushqimin e fëmijëve të tyre, mirëpo kërkojnë që shkollat të kenë më shumë aktivitete fizike, të cilat do të përmirësonin shëndetin e fëmijëve.

“Unë dhe disa mike të mia që kemi fëmijët bashkë ne shkollë kujdesemi në atë se me çfarë e ushqejmë fëmijën. Shembull unë çdo mëngjes përgatis ushqimin qe vajza ime merr në shkollë dhe ajo nuk han ushqim të shpejtë edhe pse një kohë i ishte krijuar kjo dukuri. Ndoshta jo të gjithë prindërit kujdesen për ushqimin e fëmijëve, prandaj mendoj se duhet të ketë më shumë mbledhje të këshillit të prindërve ku do të diskutohet kjo çështje e cila është mjaftë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve tanë. Gjithashtu duhet të diskutohet edhe ajo se sa kanë aktivitet fizik fëmijët tanë në shkollë, ku ata kalojnë shumicën e kohës”, tha për Portalb.mk, Kaltrina S., nënë që ka vajzën në klasën e tretë.

Nga Byroja për zhvillimin e arsimit thonë se në programin vjetor të shkollave, në bazë të aktiviteteve jashtë programit mësimor, planifikohen edhe aktivitete për mbrojtjen e shëndetit të nxënësve që nënkuptohet edhe kujdesi ndaj kontrollit të kualitetit të ushqimit dhe ujit që përdorin nxënësit gjatë qëndrimit në shkollë.

“Nxënësit fitojnë edukim nëpërmjet mësimit në programet mësimore. Në lëndën e dituri-natyrës ata që nga klasa e parë, mësojnë për nevojën e ushqimit të shëndetshëm dhe mësojnë mbi të ushqyerit të shëndetshëm dhe shfrytëzimin e ujit”, thonë nga Byroja.

Hulumtimet tregojnë se në Maqedoni mbi-peshë janë 18 përqind e banorëve. Në disa vende të Evropës si në Hungari, Francë, Finlandë, Danimarkë dhe Angli disa produkteve, duke filluar nga pijet që përmbajnë sheqer, iu është rritur taksa dhe paratë e mbledhura nga taksat shkojnë për parandalimin e sëmundjeve të lidhura me mbipeshën. Mbipesha lidhet me shumë sëmundje, mes tyre edhe ajo e zemrës, enëve të zemrës, organeve të tretjes, diabetit, dhe distabilitet hormonal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button