Në Mosul vazhdojnë përleshjet, dhjetëra të vdekur

Së paku 20 persona janë vrarë në përleshjet e sotme që forcat irakiane i zhvillojnë kundër terroristëve të DEASH-it në dy distrikte në perëndim të Mosulit, raporton Anadolu Agency (AA).

Majori i ushtrisë irakiane, Abdel Wahab Abu Raghif, për AA tha se katër ushtarë irakianë humbën jetën, ndërsa 12 të tjerë u plagosën në përleshjet gjatë mëngjesit me terroristët e DEASH-it. Nga ana tjetër, gjatë përleshjeve janë vrarë edhe së paku 16 terroristë.

Raghif po ashtu tha se forcat irakiane kanë konfiskuar një sasi të madhe të armëve të cilat terroristët i kanë përdorur, duke përfshirë edhe tre kamionçina me mitralozë.

“Rajoni tek stacioni hekurudhor dhe Baghdad Garage janë tërësisht të çliruara, por ende ka mbetur që forcat tona të pastrojnë mjetet shpërthyese dhe tunelet të cilat terroristët i kanë lënë pas vetes”, tha majori Raghif.

Terroristët e DEASH-it që nga vera e vitit 2014 kontrollojnë qytetin e dytë më të madh Mosulin.

Pas tre muajsh të operacionit të forcave të bashkuara irakiane me mbështetje të koalicionit ndërkombëtar në muajin janar u çlirua pjesa lindore e Mosulit, ndërsa më 19 shkurt filloi edhe operacioni i çlirimit të qendrës së qytetit që gjendet në bregun perëndimor të lumit Tigër.

Sipas pohimeve të fundit strukturat ushtarake irakiane, kanë çliruar 65 për qind të Mosulit perëndimor, ndërsa përleshjet momentalisht janë duke u zhvilluar në katër zona.

Operacionet janë në vazhdim dhe forcat irakiane po shënojnë përparim, ndërsa problem më të madh në çlirimin e qytetit paraqesin civilët të cilët terroristët i përdorin si mburojë e gjallë, fushat e minave dhe sulmet me bomba të cilat terroristët e DEASH-it i përdorin si pjesë të strategjisë së mbrojtjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button