Kryeminstrja e Skocisë kërkon referendum të ri për pavarësi
![](https://i2.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2016/06/Nicola-Sturgeon.jpg?fit=765%2C510&ssl=1)
Kryeminstrja e Skocisë Nicola Sturgeon, sot ka deklaruar se janë duke punuar me shpejtësi që votuesit skocezë të kenë shansin që të bëjnë të pavarur vendin e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Ajo tha se do të kërkojë miratim për një referendum të ri për pavarësinë e Skocisë.
Sturgeon shtoi se kryeministrja britanike Theresa May, aktualisht ka refuzuar të bëjë kompromis me Skoci kur është fjala për Brexit-in-largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Ajo shtoi se për Skocinë është e rëndësishme që të marrë hapa aktivë për të mbrojtur interesat e tyre, pasi që Britania e Madhe po përgatitet për nisjen e procesit të daljes nga BE-ja.
Votuesit në referendumin e Skocisë në vitin 2014 vendosën që të mbeten pjesë e Britanisë së Madhe, por Sturgeon tha se vendimi i Britanisë së Madhe për largim nga BE-ja ka çuar në ndryshime të “kushteve materiale”.