Autostrada Shkup-Bllacë mbeti vetëm në letër, premtohet gjithnjë para zgjedhjeve

Partitë qeveritare BDI-VMRO në të gjitha ciklet zgjedhore dhe programet e tyre premtonin ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Në vitin 2006 – VMRO – DPMNE njoftoi se në mandatin e vet katër-vjeçar do të realizojë këtë projekt. Vijojnë zgjedhjet në vitin 2008, sërish kjo rrugë është pjesë e programit zgjedhor. Pak më vonë me këtë premtim u bashkëngjit edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Mirëpo, deri më tani ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret në realizimin e këtij projekti prandaj ky premtim është i parealizuar, shkruan Vërtetëmatësi, njofton Portalb.mk.

Më poshtë në mënyrë kronologjike do të lexoni si ka shkuar procesi premtimeve dhe mos-realizimit.

Projekti për ndërtimin e kësaj autostrade ishte premtim i BDI-së edhe në zgjedhjet e vitit 2014. Në prezantim të programit zgjedhorë, Musa Xhaferi nga BDI ka premtuar  ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë si një nga projektet më të rëndësishme të BDI-së.

“Autostrada Shkup-Bllacë, rrugët Likovë-Gjilan, Llojan-Miratovcë, Stançiq-Bellanoc dhe Tanushë-Debëllde janë damarët që do të mbajnë të zhvilluar më mirë se kurdoherë lidhjet tona familjare, kulturore dhe ekonomike me Kosovën”. (burimi: Alsat-M, 26.03.2014)

Ndërkaq, një muaj pas ministri i euro-integrimeve, Fatmir Besimi para biznesmenëve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, premtoi se nëse BDI fiton zgjedhjet partia e tyre do të punojë me përkushtim që të realizoj mes të tjerash edhe këtë projekt.

“Projekte strategjike që përmenden janë: Koridori 8, autostrada Shkup-Ohër-Strugë-Qafë Thanë  dhe pastaj Shkup-Bllacë, që kanë qenë kërkesa edhe të OEMVP-së, rruga e Arbërit…”. (Alsat-M, 23.04.2014)

Në nëntorin e po të njëjtin vit, ish ministri i ekonomisë, Bekim Neziri, në mesin e projekteve të përbashkëta me Kosovën, shpalosi edhe autostradën në fjalë në konferencën për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Vjenë.

“Projekti i parë për të cilin ramë dakord si dy ministra është projekti infrastrukturor, rrugor i cili do të lidhë pikën kufitare Bllacë dhe Shkup”. (burimi: Alsat-M, 14.11.2014)

Një vit më pas, ish ministri i ekonomisë, Bekim Neziri premtoi edhe një herë që ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë mbetet prioritet për vitin e ardhshëm (2016).

“Sfidë ngelet përfaqësimi adekuat në këtë ministri dhe rruga Shkup-Bllacë për të cilën do të ketë ankand deri në fillim të vitit të ardhshëm”. (burimi: Portalb, 14.12.2015)

Edhe pse u premtua se në vitin 2016 projekti për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë do të jetë prioritet për BDI-në, në realitet nuk ishte ashtu. Në korrik të vitit 2016, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kishin deklaruar që projektimi i projektit është në rrjedhë.

Në rrjedhë është projektimi i seksionit Shkup-Bllacë në gjatësi prej 12 km. Përmes një grandi nga ËBIF është nënshkruar marrëveshje për projektimin plotësues të firmës projektuese Mott MacDonald dhe IPF Consortium”. (burimi: Alsat-M, 24.07.2016)

Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që kjo rrugë të ndërtohet me modalitetin privato-publik, por i gjithë projekti ende është në fazën fillestare. Deri më tani (20.02.2017) ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret në realizimin e këtij projekti, andaj sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, sipas asaj që kemi arritur të vlerësojmë, këtë projekt e llogarisim si të parealizuar. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button