Partitë politike mbështesin formimin e Ushtrisë së Kosovës, VV nuk deklarohet

LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA i kanë dhënë përkrahje projektligjit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, por Vetëvendosje edhe pse ishte në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, nuk u deklarua nëse pajtohet ose jo me projektligjin për formimin e Ushtrisë, njofton koha.net, përcjell Portalb.mk.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u shqyrtua projektligji për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, tri partitë janë shprehur për formimin e Ushtrisë, derisa në sallën e mbledhjes ende janë përfaqësuesit e PDK-së, Xhavit Haliti dhe e Vetëvendosjes, Aida Dërguti.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se partia e tij është për transformimin e FSK-së në Ushtri.

“Sot kishim në rend dite procedimin për projektligjin e transformimit të FSK-së. Ne jemi për transformim të FSK-së, jemi për vazhdim dhe përkrahje të partnerëve tanë strategjik sepse ne dëshirojmë ushtri të mirëfilltë”, ka thënë Beqiri.

Pal Lekaj, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, ka thënë se thënë se Ushtria u takon gjithë qytetarëve të Kosovës dhe nuk i takon vetëm një subjekti politik.

“Ne si Aleancë jemi për ushtri dhe për ne është me rëndësi përmbajtja dhe fuqia apo ndryshimi komplet i misionit, që të jetë në mbrojtje të territorit të vendit. Këtë do ta përkrahim fuqishëm dhe jemi në linjë. Ushtria i takon gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk i takon veç një subjekti politik. Kjo çështje nuk duhet të politizohet. Ne si Aleancë pajtohemi për formimin e Ushtrisë”, ka thënë Lekaj.

Me një deklaratë të shkurtë përkrahje formimit të Ushtrisë i ka dhënë edhe NISMA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button