OBSH: Si pasojë e ndotjes së mjedisit në vit vdesin 1.7 milionë fëmijë

Dy raporte të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se si pasojë e ndotjes së mjedisit në vit vdesin 1.7 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një nga katër vdekjet e fëmijëve të moshës nën pesëvjeçare në mbarë botën, shkaktohet si pasojë e ndotjes së ajrit të hapësirave të mbyllura dhe të hapura, ujit të ndotur, duhanpirjes pasive dhe mungesës së kushteve sanitare.

Në raportin e parë theksohen format më të përhapura të vdekjes tek fëmijët të shkaktuara si pasojë e ndotjes së mjedisit, ndërsa në mesin e tyre përmenden diarreja, malaria dhe pneumonia.

Raporti i dytë tregon se 570.000 fëmijë nën moshën 5-vjeçare ndërrojnë jetë për çdo vit për shkak të infeksionit të rrugëve respiratore të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe duhanpirja pasive.

Vdekja tek 361.000 fëmijë shkaktohet nga diarreja për shkak të kushteve të pamjaftueshme sanitare dhe mungesës së ujit për pije. Po ashtu 200.000 fëmijë vdesin nga malaria e cila mund të parandalohet në mënyra të ndryshme, ndërsa njëra prej tyre është sigurimi i ujit të pastër.
OBSH paralajmëron për ndikimin e ndryshimeve klimatike kur është fjala për fëmijët e sëmurë nga astma.

“Ndotja e mjedisit është vdekjeprurëse për fëmijët e vegjël. Organet dhe sistemi imunitar që janë në fazë të zhvillimit, i bën fëmijët të ndjeshëm para ajrit dhe ujit të ndotur”, konsideron drejtoresha e përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button