Ku përkasim ne!

I

Fakti që si shoqëri shqiptare e pasluftës në Maqedoni nuk ishim në gjendje që institucionalisht të funksionojmë në aspektin zhvillimor e prosperues, ky fakt – me kalimin e kohës – prodhoi një barazim ndërmjet krimeve të pushteteve jugosllave dhe një barazim ndërmjet papërgjegjësisë institucionale të pushteteve të pasluftës. Në këtë barazim njerëzit më fatkeqë ishin ata që nuk ishin pjesë as e “të përkëdhelurve” të regjimit jugosllav (lexo: titist), as e qarqeve e klaneve të pushteteve të pasluftës (lexo: enverist).

Fatkeqësisht ajo ishte një pjesë shumë e madhe e shoqërisë shqiptare, që nuk bënte pjesë as në njërën, e as në tjetrën palë. Sikurse atëherë, në Jugosllavi, edhe tani, pas luftës, ajo shtresë ndodhej në një situatë të margjinalizuar, të varfëruar e të pashpresë – e njëjta ndjenjë e shqiptarit që ishte edhe në Jugosllavinë e Titos.

Dalja nga kjo katrahurë e nga ai bankrot i madh vleror, ideologjik e moral, domosdo qe  angazhimi rreth koncepteve të reja, rreth vlerave, me të cilat si shqiptarë kishin jetuar me vite të tëra, ndërsa i humbëm gjatë rrugëtimit tonë shekullor.

 

 

II

Angazhimi rreth koncepteve të reja e rreth vlerave me të cilat kishim jetuar, si duket u tregua formula e suksesshme, ndoshta edhe e vetmja, që shërbeu për një rizgjim të hovshëm të atyre shqiptarëve, siç e thamë edhe më lart, që ishin të margjinalizuar, të varfëruar e të pashpresë thuajse për një shekull.

Në fakt, ai ishte rizgjimi i shqiptarëve të vërtetë të Maqedonisë, të cilët pavarësisht peripecive e persekutimeve që i ndoqën me dekada nga regjimet e kohës, e arritën këtë shekull duke e ruajtur identitetin e tyre e duke e mbrojtur fort trungun autokton të shqiptarisë në Maqedoni.

“Të përkëdhelurit” e ish-regjimit, si edhe enveristët, nuk zgjedhin mjet për ta baltosur atë rizgjim dhe assesi nuk mund të pajtohen me faktin se më në fund shqiptarët autoktonë po rizgjohen.

Në fakt, ata nuk e sulmojnë vetëm atë organizim e at rizgjim, por në fakt po mundohen ta zhdukin modelin e atij lloj organizimit.

Ata, si model, krijuan politikanë zhvatës, ndërsa tash duan ta zhdukin modelin e politikanit të drejtë.

Ata, si model, krijuan politikanë epsharak, ndërsa tash duan ta zhdukin modelin e politikanit të moralshëm.

Ata, si model, krijuan politikanë shtypës, ndërsa tash u pengon alternativa për të shtypurit.

Ata, si model, krijuan politikanë analfabetë, ndërsa tash duan ta zhdukin modelin e politikanit me formësim intelektual.

Ata, si model, krijuan ekskluzivisht politikanë ateistë, ndërsa tash duan ta zhdukin modelin e politikanit me edukim moral religjioz.

Ata, si model, e krijuan politikanin larg librit, ndërsa tash duan ta zhdukim edhe librin.

Prandaj patjetër duhet ta themi edhe faktin tjetër të dhimbshëm; disa satelitë të enveristëve e “të përkëdhelurve” gjithandej ku frymohet shqip, në vend që ta përkrahin rizgjimin dhe ndryshimin, ata bëhen ndihmës të tyre në kurriz të shqiptarëve. Frika pa më dyshje është e njëjtë edhe atje: “mos vallë ai model i organizimit do të eksportohet edhe atje?!”.

Pavarësisht çdo gjëje, shqiptarët në Maqedoni besojnë fort se do ta fitojnë betejën për çlirim nga kthetrat e pushtetit, njiashtu besojnë fortë se do e fitojnë edhe betejën për barabarësi mbi bazën e autoktonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button