Mogherini: BeH në dy vitet e fundit ka arritur progres mbresëlënës

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë si dhe zëvendëskryetarja e Komisionit Evropian Federica Mogherini porositi sot në Sarajevë pas takimit me Kryesuesin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) Denis Zvizdiç se në BeH në dy vitet e fundit janë arritur rezultate mbresëlënëse, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendës kryesuesit e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Mirko Sharoviç dhe Vjekoslav Bevanda si dhe Igor Cërnadak, ministër i Punëve të Jashtme.

Mogherini ka rikujtuar se BeH-në e ka vizituar para dy vitesh dhe se atëherë është promovuar qasja e re e BE-së ndaj BeH-së.

“Shumë mirë kujtoj dy gjëra gjatë këtyre vizitave. E para ishte skepticizmi që BeH në përgjithësi mund të bëjë ndonjë përparim në rrugën evropiane, dhe e dyta një energji e padyshimtë që kam parë veçanërisht tek të rinjtë, por edhe brezi i vjetër që kujtonin fuqishëm dëshirën që BeH të bëhet anëtare e BE-së. Dy vjet kanë kaluar dhe në fakt janë arritur rezultate mbresëlënëse”, ka thënë Mogherini.

Këto zhvillime pozitive, tha ajo, ngadalë janë paraqitur në disa trende pozitive.

“Ne tashmë kemi disa të dhëna, sinjale se të gjitha këto përpjekje të mëparshme janë transmetuar në trendet e caktuara në drejtim të rritjes ekonomike dhe treguesve të tjerë të punës, por këto janë hapat e parë, sinjalet e para dhe unë jam e vetëdijshme se ato nuk janë transmetuar direkt në ndonjë ndryshim të rëndësishëm, thelbësor ku qytetarët mund t’i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme”, tha Mogherini.

Megjithatë, sipas saj, vendi është në rrugën e duhur dhe se tani duhet të mbajë aktivitetet që janë zbatuar dhe të vazhdojë të punojë në to.

“Është me rëndësi strategjike për BE-në që BeH të vazhdojë edhe më tej në rrugën e saj evropiane, për të bërë përpjekje që të bëhet anëtare, në saje të një angazhimi, uniteti dhe një qasjeje konstruktive. Puna e tanishme është e njohur dhe e vlerësuar nga institucionet evropiane dhe kjo është baza e marrëdhënieve tona dhe aktiviteteve të mëtejshme. Unë e di se ka sfida në vend, por edhe sfida që janë të natyrës rajonale dhe globale që ne të gjithë i ndajnë. Jam e bindur se liderët e këtij vendi kanë dituri të mjaftueshme dhe kapacitet për të kapërcyer të gjitha këto sfida. Ajo që është e rëndësishme është paqja që nuk është aspak një gjë e vogël, sidomos në këtë vend, stabiliteti, siguria, kushtet ekonomike, bashkëpunimi rajonal dhe atë që unë e quaj bashkimin, jo rrugën evropiane, por perspektivën tuaj evropiane drejt anëtarësimit në të ardhmen, mbetet për të punuar së bashku”, ka thënë Mogherini.

Ajo shprehu besimin se vendi mund të mbështetet në të gjatë gjithë procesit.

Mogherini më parë sot u takua me anëtarët e presidencës së BeH.

Mogherini gjatë turnesë ballkanike ka vizituar Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë ishte planifikuar të vijë të enjten, por avioni i saj për shkak të mjegullës së dendur nuk arriti të ulej në aeroportin ndërkombëtar të Sarajevës, me ç’rast vizita ishte shtyrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button