Mogherini: Nuk e di sa i fortë është presioni ndaj Bullgarisë për Maqedoninë, por shpresoj se do të funksionojë

Është në interes të Bashkimit Evropian që të fillojë menjëherë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pastaj procesi do të jetë i gjatë dhe do të jetë vetëm fillimi, tha në një intervistë për BTV ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, duke shprehur shpresën se vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut do të hiqet së shpejti, transmeton Portalb.mk.

Sipas Mogherinit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë gjithçka që është e nevojshme për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përmbushur atë që u është kërkuar për fillimin e negociatave. Disa vende që duan të anëtarësohen do të thoshin: Prisni pak, ju bëtë Maqedoninë dhe Shqipërinë të ndërmarrin disa hapa për të filluar negociatat dhe ata i përmbushën dhe negociatat nuk filluan. Pse edhe ne ta bëjmë këtë? Është në interesin tonë që të fillojmë pa vonesë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Më pas vjen një proces i gjatë, ky është vetëm fillimi”, tha Mogherini për BTV.

E pyetur nëse kjo do të thotë se kërkesat e Bullgarisë duhet të zhvendosen pas fillimit të negociatave dhe jo si kusht për bisedime, Mogherini është distancuar duke thënë se kjo nuk varet nga ajo.

“Për momentin nuk kjo gjë varet nga unë dhe nuk do të hyja në detaje, por kemi dy vende ku mbështetja për anëtarësim është shumë e lartë, dy vende në rajon, dy vende anëtare të NATO-s që kanë përmbushur plotësisht kërkesat. Ata kanë përmbushur gjithçka që kemi kërkuar prej tyre dhe e meritojnë të fillojnë negociatat. Çdo gjë tjetër ua lë njerëzve që janë përgjegjës për procesin tani”, tha Mogerini.

Në pyetjen se sa i fortë është presioni ndaj Bullgarisë për të hequr veton, Mogherini u përgjigj: “Nuk e di sa i fortë është, por shpresoj se do të funksionojë”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button