Futsall Shkupi pyet: “A ka kundërshtar më të fortë”? (VIDEO)
Futsall ekipi Shkupi pas derbit të fituar mbrëmë mbetet kala e pamposhtur e Ligës së Parë, duke e mundur kampionin aktual skuadrën e Velesit me rezultatin 2:1. Mbrmëmë nuk ishte thjesht një lojë, por një derbi i madh i përcjellë nga një numër rekord tifozësh të udhëhequr nga atmosfera impozante e krijuar nga grupi i tifozëve “Shvercerat Shkup’, e që për lojtarët ishin lojtar ndihmës gjatë gjithë ndeshjes.
Pjesa e parë u takoi futbollistëve nga Çairi, të cilët në shpejtësi shënuan dy gola, me autor Erkan Seferin dhe Eroll Dalipin. Ndërkohë mysafirët shënuan vetëm një gol në pjesën e dytë dhe atë me futbollistin nga Shkupi, shqiptarin e dytë në radhët e Velesit, Taulant Ismaili.
Në momentet e fundit të ndeshjes mysafirët tentuan me të gjitha forcat të sulmojnë, duke futur në lojë futbollist marker në vend të portierit, ndërkohë shkupjanët dy herë goditën shtyllën por pa ndryshuar rezultat.
Të gjithë futbollistët e Shkupit ishin në element dhe dhanë maksimumin për ta fituar këtë ndeshjes, por më i dalluar ishte portieri Berat Jakupi, i cili pas rezultat 2:0 kishte disa intervenime të shkëlqyera, duke mos lejuar kundërshtarët të ndryshojnë rezultat.
Me këtë fitore Shkupi është tani lider i tabelës dhe ka bërë një hap drejt titullit të parë kampion në Ligën e parë në Futsall. /Portalb.mk/