Kosova bllokon sërish eksportin e produkteve shqiptare

Dogana e Kosovës ka vendosur sërish bllokimin e produkteve shqiptare, si tjegulla dhe tulla. Shqetësimi është ngritur nga Qendra e Klasterave të Biznesit. Ndërsa, autoritet doganore kosovare bëjnë të ditur se, ky vendim u ndërmor për shkak se, u ndryshuan procedurat e zhdoganimit të mallit të eksportuar vendi ynë. Nëpërmjet një deklarate për mediat drejtori i QKB-së, Gjergj Prebibaj, tha se ky bllokim që po i bëhet eksporteve drejt Kosovës, po shton procedurat, burokracitë dhe kostot.

“Jemi në kushtet e shkeljes së marrëveshjes së CEFTA-s dhe marrëveshjeve dypalëshe për lehtësimin e procedurave  dhe barrierave për shkëmbimet tregtare. Kemi të bëjmë me artifica, të cilat praktikisht e bëjnë të pamundur eksportimin e materialeve të ndërtimit drejt Kosovës si tulla dhe tjegulla. Qendra e Klasterave të Biznesit sqaron se bëhet fjalë për një kosto shtesë totale prej 240 euro që është vendosur për kamion, malli i të cilit ka vlerë përafërsisht 800 euro ( kostoja shkon mbi 30% e vlerës totale të mallit) që ka sjellë bllokimin e tregtisë. Kjo praktike përbën një  problem mjaft shqetësues edhe për industritë e tjera eksportuese (çimento etj), duke i bërë më pak konkurrues në treg, por në rastin e tullave dhe tjegullave duke qenë se vlera totale e mallit është e vogël, kjo procedure e bllokon totalisht”, tha ai.

Nga Shqipëria në drejtim të Kosovës shkojnë rreth 1050 kamionë me vlerë të përafërt 850 mijë euro në muaj, ose 10 milionë euro në vit. Qendra e Klasterave të Biznesit bën të ditur se këto vlera janë vetëm për produktet tulla dhe tjegulla dhe po të merret në konsideratë e gjithë gama e produkteve, humbja është shumë herë më e madhe. Lidhur me këtë shqetësim Qendra e Klasterave të Biznesit  ka informuar menjëherë  Ministrinë e Ekonomisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë, duke iu kërkuar ndërhyrjen institucionale për zgjidhjen e problemit. “Kjo situatë vazhdon prej 4 ditësh dhe sipas informacioneve më të fundit nga bashkëpunëtorët tonë në Kosovë, të cilët kanë qenë në bisedime të vazhdueshme me autoritete doganore kosovare ka sinjale pozitive për zgjidhjen e problemit gjatë ditës së sotme”, thuhet në njoftim. 

/Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button