Tiranë, protesta e opozitës në ditën e 11-të

Protesta e opozitës në Tiranë ka hyrë në ditën e 11-të, ndërsa sot asaj i janë bashkuar organizatat që mbrojnë të drejtat e pensionistëve, por edhe organizata të tjera të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalës së tij, kreu i opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka përsëritur kërkesat për krijimin e qeverisë teknike dhe dorëheqjen e qeverisë aktuale.

“Shqiptarët janë në këmbë, shumica është në këmbë. Në Republikën e qytetarëve të thjeshtë, e sipërmarrësve, të papunëve, do të kenë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre duke gjetur punë në një ekonomi të re, plot shpresë dhe energji, ku mundësitë janë të barabarta para ligjit”, është shprehur Basha gjatë fjalës së tij në protestë.

Protestës së opozitës gjatë ditëve të fundit i janë bashkuar edhe disa organizata të shoqërisë civile, ish-të përndjekurit politikë, etj, që janë bërë pjesë në çadrën e vendosur para selisë së Këshillit të Ministrave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Protesta filloi më 18 shkurt, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë aktuale, drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të qershorit.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me “thirrjet për veprime të dhunshme” që janë bërë në protestë, për të vërtetuar nëse kreu i opozitës, Lulzim Basha ka konsumuar elementë të veprës penale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button