Ivanov kundër Pendarovskit

Profesori kundër profesorit, por shumë të ndryshëm. Analistët maqedonas pajtohen se ndërmjet dy kandidatëve për president atij të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Gjoge Ivanov dhe Stevo Pendarovski ekzistojnë dallime të mëdha. Ato dallohen në fillim nga koncepti, pastaj nga mënyra e sjelljes dhe për atë se sa janë të njohur për publikun.

“Sa i përket politikës së jashtme, presidenti Ivanov ka një funksion të caktuar që është në kontekst të mendimit të Qeverisë, si për çështjen e emrit ashtu edhe për marrëdhëniet me fqinjët dhe kështu me radhë, derisa kandidati Pendarovski ka një politikë shumë të ndryshme nga ajo që ndjek partia që e mbështet, nga LSDM-ja. Në planin e brendshëm, gjithashtu dallohen, presidenti Ivanov ka ndërtuar një imazh të njeriut që nuk është shumë i afërt me të gjitha bashkësitë etnike në vend ndërsa Pendarovski ka një rejting të ndryshëm edhe tek pala tjetër, edhe pse ato sigurisht nuk do ta përkrahin”, ka deklaruar profesor Nikolla Dujovski për Radio Evropa e Lirë.

Dallimet thelbësore ekzistojnë edhe në lidhje me çështjet ekonomike, tha Dujovski.

“Presidenti Ivanov e ndjek politikën e Qeverisë, gjatë gjithë kohës është në fushatën e tyre në botë për tërheqjen e investimeve. Pendarovski dhe njerëzit që qëndrojnë pas tij kanë një pikëpamje më të ndryshme të kësaj politike”, tha ai.

Sipas analistit politik Naser Zyberi presidenti aktual karakterizohet me përmbajtje, joiniciues dhe bindje ndaj partisë.

“U tregua si një anëtarë i mirë i partisë i cili nuk i tejkalon qëndrimet e partisë dhe kufijtë dhe nuk u tregua si president i të gjithë qytetarëve dhe me këtë të tregojë se është jashtë kufizimeve partiake”, tha Zyberi.

Sipas tij, kandidati i opozitës Pendarovski krijon përshtypje se nuk është rob i partisë që e propozoi.

„Nuk është rob i kornizave partiake. Në pjesën e diplomacisë dhe në politikën ndërkombëtare jep një vizion për atë se si duhet përmirësuar marrëdhëniet dhe kjo është shumë me rëndësi duke pasur parasysh përpjekjet e Republikës së Maqedonisë që i bën për tejkalimin e krizës me Greqinë dhe anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO”, deklaroi Zyberi.

Ekspertët janë të bindur se pa marr parasysh se çfarë i karakterizon këto dy kandidat, serish në fund qytetarët do të votojnë për parti e jo për person.

Lajme të ngjashme

Back to top button