Letër babait, fjalët e paharrueshme të bijve artistë për të atin

Letra që Franc Kafka i shkroi të atit nuk mbërriti kurrë në adresë, por vetëm për të humbur që nuk humbi. Aty shkrimtari i kthente përgjigjen të atit për pyetjen pse ai vazhdonte ta kishte frikë dhe në atë kohë kur kishte mbushur 36 vjeç. Për t’ia shpjeguar disi iu deshën 47 faqe. I kujtoi gjithë jetën që kishte kaluar në shtëpi nën shtypjen e tij. I foli për atë ndjesi faji që e shoqëronte në çdo çast e që ia kishte imponuar pikërisht i ati duke i thënë vazhdimisht që ai duhet t’i ishte mirënjohës, por Franc nuk mundej dhe, në këto rrethana, duhej të jetonte me atë ndjesi të pashqitshme faji nga vetja.

Meqë në vogëlinë time piqeshim më së shumti në tryezë, rëndom mësimet e tua kishin të bënin me sjelljen time gjatë ngrënies. Duhej të haja ç’më vinin përpara, ishte e ndaluar të shprehja gjykime mbi cilësinë e gatimeve – ndërsa ty, shpeshherë, ta shpifnin, i quaje “pisllëqe”; ”ajo kafsha” (kuzhinierja) e kishte katranosur. Ti, me atë oreks ujku që kishe, gjithë dëshirë për të gëlltitur kafshata të mëdha që s’i lije gjellët as të ftoheshin, haje me babëzi dhe doje që fëmija të nxitonte.

​Baba, shpresoj të më kuptosh drejt, këto ishin vogëlsira të papërfillshme; për mua bëheshin cingëritëse vetëm kur ti, njeriu që ishe zot në sytë e mi, nuk u përmbaheshe urdhrave që më kishe diktuar. Për rrjedhojë, bota për mua, ndahej në tri pjesë: në të parën unë, skllavi, jetoja nën trysninë e ligjeve të hartuara vetëm për mua, të cilave s’ua dija kuptimin dhe nuk arrija t’u përshtatesha; pastaj ekzistonte një botë e dytë, pafundësisht e largët nga imja, në të cilën jetoje ti, ku drejtoje, caktoje urdhrat dhe zemëroheshe kur nuk zbatoheshin; dhe, së fundi, një botë e tretë, ku njerëzia jetonin të lumtur, pa marrë urdhra dhe pa iu bindur kurrkujt.

Edhe pse nuk duhet të jetë kjo marrëdhënia që zë më shumë vend në letërsi apo muzikë, shënimet që bijtë e njohur kanë lënë mbi fletët e artit për etërit e tyre nuk mungojnë. Një është pikërisht “Letër Babait” e Franc Kafkës edhe pse është thënë që shkrimtari e shkroi vetëm për të atin dhe jo për t’u bërë pjesë e letrave të hapura para syve dhe veshëve të të gjithëve. Ka dhe të tjera që e kanë pasur fatin të kundërt dhe në thelb të njëjtë: janë shkruar si vepra arti, por mesazhi me siguri nuk e ka humbur adresën e marrësit.

Çarls Bukovski “Ham on rye”, sjellë në shqip nga Iris Sojli dhe botimet Pegi si “Bukë me sallam”, ia kushton në të vërtetë, jo vetëm babait të tij, por të gjithë etërve, teksa tregon gjysmëhistorinë e tij me anë të personazhit të Henri Çinaski-t.

“Nuk e urreja tim atë. Ai thjesht tejkalonte çdo imagjinatë, dhe e vetmja gjë që doja ishte të ikja prej tij. Nuk qaja dot. Isha shumë i sëkëlldisur që të qaja, shumë i hutuar. Rripi u përplas edhe një herë. Pastaj ndaloi. Po qëndroja dhe po prisja. E dëgjova tek varte rripin në mur.

– Herën tjetër, – tha, – nuk dua të gjej asnjë fije.

E dëgjova që doli nga banja. Mbylli derën e banjës. Muret ishin të bukura, vaska ishte e bukur, lavamani ishte i bukur dhe perdet e dushit ishin të bukura, madje edhe ËC-ja ishte e bukur. Im atë ishte larguar.”

Janë edhe poetët e muzikës që u kanë shkruar baballarëve. Ndoshta, që kur Bob Dylan mori çmimin Nobel për Letërsi, ky emërtim u zyrtarizua për të mos qenë aq romantik sa dikur, megjithatë poetët janë gjithmonë poetë…Ermal Meta është një prej tyre.

Kantautori shqiptar ka thënë që këngët e tij janë autobiografike, edhe pse nuk parapëlqen të tregojë më shumë sesa tregojnë këngët, ashtu siç ka thënë edhe që ai kthen në këngë ato ngjarje që tashmë ka arritur “t’i tresë”, siç është edhe dhuna që i ati ushtronte në familje, në kohën kur Ermali, e ëma dhe e motra jetonin në Shqipëri, para se të niseshin për në Bari. Te “Vietato morire” flet për këtë histori, por, nëse kjo është një këngë kushtuar së ëmës, gruas që i mësoi mosbindjen ndaj dhunës, që i mësoi që dashuria nuk godet kurrë në fytyrë dhe që ai duhet të ndiqte një rrugë ndryshe nga ajo e të atit, atë të dashurisë, te “Letera a mio padre”, këngë e albumit të parë “Umano”, e cila mbështetet në të njëjtat ngjarje si kënga e Sanremos, i drejtohet drejtpërdrejt të atit.

Dhe i thotë atij që nëse një ditë do ketë një djalë do i mësojë të kundërtën e asaj që ka përjetuar në fëmijëri dhe që, edhe pse mund t’i ngjajë disi, nuk ka asgjë tjetër prej tij.

Pak rrudha shprehie

Asgjë tjetër prej teje

Nuk mbijeton tek unë

Një mbiemër për t’u mbajtur

Vetëm kaq do jesh

E nuk do më shohësh kurrë

Historitë nuk janë gjithmonë si kjo. Mund të jenë edhe e kundërta e saj. Keith Urban, në vitin 2002, ka shkruar “Një këngë për babin”, por i tiji ishte një baba prej dashurie, që Keith e shihte çdo ditë kur shihte veten në pasqyrë dhe shpresonte të kishte edhe më shumë prej tij kur të krijonte familje. E kishte parë t’i falte dashuri atij, së ëmës, të vëllait dhe ndjesia që e mbante brenda vetes, thjesht e mbushte.

Jam krenar sot të them që jam i biri

Kur dikush thotë “shpresoj ta takoj babin tënd”

Unë qesh dhe i them që sapo e ka takuar

Në vazhdën e këngëve të dashurisë për babain, të vjen në mend ajo e albumit “Hana” të Vlashent Satës, thjesht “Bab”, një nga më emocionalet e kantautorit, ku rrëfen jetën e të atit dhe bashkimin e rrugëve të tyre në një pikë, pas së cilës gjërat ndryshojnë.

Kur pate le ti, nana jote s’mujti

As krytin me ta perkdhel

Shpejt’ e kishin thirr n’qell

Bab, bab, t’ka mungu bab

T’ka mungu…

Një instrumentale e gjatë dhe e fortë në mes të këngës si një seancë tronditëse transformuese: i ati është rritur pa nënë, por nuk do të jetë më vetëm, sepse i biri nuk do e lërë.

Bab, a m’tregon bab, nje sen’ me ta kerku une bab…

A rrin me mu? nuk t’la vetem une

Si m’i harru kang’t bab, qe kena knu bashke. m’thojshe : «nuk ban me u trishtu, ma mire me knu’»

Biçikleten e pare bab’, e kur u rrxum’, a t’mahet mend ?

Kur u hodhme ne det bab, tuj qesh, na f’mite

na shoket bab

gjithmone bashke, bab

gjithmone

Bab…

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button