“The Huffington post”: Ndikimi i agjendës “Së pari Amerika” në marrëdhëniet SHBA-Kosovë

Në botën “Së pari Amerika” të presidentit Donald J. Trump, Kosova nuk do duhej vetëm të pyeste se çfarë SHBA-të mund të bëjnë për Kosovën, por të mendojnë edhe se çfarë Kosova mund të bëjë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka shumë çfarë të bëhet. Shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë. Shqiptarët nuk kanë pasur mik më të mirë se SHBA-të.

Përkrahja amerikane ndaj Kosovës, një vend me rreth dy milionë banorë në Ballkanin Perëndimor, gjithmonë ka qenë dy-partiake. Me rënien e Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës e shpallën pavarësinë më 1992. Administratat e njëpasnjëshme amerikane kanë përkrahur demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, duke përfshirë edhe të drejtën për vetëvendosje.

Agresioni i Serbisë rezultoi në vdekje të më shumë se 10 mijë shqiptarëve të Kosovës dhe zhvendosjen e pothuajse 1 milion të tjerëve. Presidenti Bill Clinton nisi sulmet ajrore për të dëbuar forcat serbe dhe për të parandaluar spastrimin etnik më 1999. Presidenti George W. Bush çoi drejt shpalljes së koordinuar të pavarësisë së Kosovës më 2008. E sot, 113 vende e kanë njohur sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës, transmeton Koha.net.

Por, Kosova ende nuk është stabile. Njëzet për qind e Kosovës, përfshi Mitrovicën dhe territorin në veri të lumit Ibër, është nën kontrollin serb. Serbët kanë ndërtuar një mur që ndan Mitrovicën nga pjesa tjetër e Kosovës. Serbia kërcënon me aneksimin e Mitrovicës, duke cituar “modelin e Krimesë”.

Kosova gjithmonë ka gëzuar një marrëdhënie të veçantë me SHBA-të. Pas zgjedhjes së Trumpit, një Rusi e rilindur (përkrahëse e Serbisë) dhe një SHBA me papajtueshmëri do ta vinte Kosovën në rrezik.

Vojisllav Sheshel, lider i Partisë Radikale Serbe, kishte kërkuar që serbo-amerikanët të votojnë për Trumpin. Ai e quajti atë votë për “të ardhmen e Serbisë”. Serbët kanë festuar rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, të inkurajuar edhe nga qëndrimi pro-rus i Trumpit. Disa ditë pas zgjedhjeve në SHBA, disa billborde u ngritën në Mitrovicë me fotografinë e Trumpit, me mbishkrimin: “Serbët të përkrahën vazhdimisht”.

Kosova është e cenueshme. Një tren donacion nga Rusia që ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, u ndalua në kufirin Serbi-Kosovë më 18 janar. Treni ishte dekoruar me ikona ortodokse serbe nga manastiret në Kosovë. “Kosova është Serbi” shkruante në pjesën e jashtme të tij në 21 gjuhë. Kur kosovarët protestuan, presidenti serb Tomisllav Nikoliq kërcënoi me dërgim të ushtrisë serb në Kosovë për të mbrojtur pakicën serbe atje.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis, i ofroi siguri Kosovës gjatë fjalimit të tij konfirmues në këtë post: “[Kosova është] një shembull i asaj se çfarë ndodh kur komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Amerika, përkushtohet në mbrojtje të interesave dhe vlerave të veta”. Ai përkrahu ndryshimin kushtetues me përkrahjen e Kuvendit që do t’i lejonte Kosovës themelimin e ushtrisë. Kosova momentalisht ka vetëm një Gardë Kombëtare.

Sipas Gjeneralit Mattis, SHBA-të mbesin të përkushtuara ndaj sigurisë në Kosovë. Rreth 4,600 trupa të NATO-s nga 30 vende qëndrojnë në Kosovë si forcë mbrojtëse ndaj një agresioni të ri serb. Rreth 650 trupa amerikane janë të pozicionuara në Kampin Bondsteel në Lindje të Kosovës.

Ndonëse dëshmia e Gjeneralit Mattis ishte e mirëseardhur, durimi i Trumpit nuk është i pakufizuar.

Elita politike në Kosovë njihet për korrupsion. Disa zyrtarë kosovarë janë në poste vetëm për t’u mbrojtur nga ndjekja penale.

Ekonomia e Kosovës është një shportë. Papunësia është 45 për qind; papunësia e të rinjve është edhe më e lartë. Me mundësi të kufizuara ekonomike, rinia e Kosovës është e ndjeshme ndaj radikalizmit.

Rritja e ekstremizmit islamik është më së shumti shqetësuese. Ndonëse 90 për qind e Kosovës është me besim islam, kosovarët janë njohur më shumë për kombëtarizmin e tyre sesa për religjionin. Instituti Amerikan i Paqes (USIP) ka dokumentuar nivele tronditëse të militantizmit religjioz. Me qindra kosovarë i janë bashkuar Shtetit Islamik. Sipas USIP-it, “Kosova është bërë burimi primar i luftëtarëve të huaj në konfliktet në Irak e Siri në raport me numrin e popullsisë”.

Administratës Trump nuk do t’i duhet të kërkojë shumë për të arsyetuar ridefinimin e raportorëve SHBA-Kosovë. Deshët apo jo, “Së pari Amerika” është kredoja aktuale që definon marrëdhëniet SHBA-Kosovë.

Kosova mund të demonstrojë vlerat e saja si partner duke theksuar përpjekjet e saja për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm dhe ta luftojë terrorizmin. Kosova ka qenë bastion i tolerancës fetare dhe i përmbajtjes. Mund të jetë model pozitiv për vende tjera në Evropën Juglindore, transmeton Koha.net.

Nëntorin e vitit 2016, policia anti-terror e Kosovës arrestoi 19 persona që dyshohej se po përgatisnin sulme në një ndeshje futbolli mes Izraelit dhe Shqipërisë. Veç kësaj, celula po planifikonte edhe sulme tjera në Shqipëri, Kosovë dhe përgjatë Ballkanit. Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet ta deklarojë dhe ta thellojë bashkëpunimin me zyrtarët amerikanë në fushën e anti-terrorizmit.

Ministria kosovare e Drejtësisë po ndërmerr masa të ashpra për kosovarët që po kthehen nga Shteti Islamik, duke iu dhënë një dënim mandatar prej gjashtë muajsh deri në 15 vjet për ish-luftëtarët. Veç forcimit të ligjit, Kosova ka zhvilluar edhe masa të buta, duke u fokusuar në edukim, zhvillim ekonomik dhe porosi të përmbajtura nga imamët.

Mund të bëhet edhe më shumë. Politikanët kosovarë mohojnë se ka një problem të vazhdueshëm me radikalizmin. Vullneti i ndershmërisë dhe ai politik mund ta vënë Kosovën si lider në parandalimin, fuqizimin dhe riintegrimin.

Kosova dëshiron t’i bashkohet NATO-s. Deri në këtë pikë, Garda Kombëtare e Kosovës mund të jetë aset i operacioneve paqeruajtëse dhe stabilizuese të NATO-s. Derisa Garda Kombëtare shkon drejt shndërrimit në ushtri të vërtetë, qeveria e Kosovës duhet të ofrojë partneritet të forcave të saja me NATO-n. Ngritja e kapaciteteve do të përshpejtonte integrimin e Kosovës në NATO dhe në strukturat tjera euro-atlantike.

Veç kësaj, Kosova ka një përvojë të gjerë me gjetjen dhe heqjen e minave tokësore dhe mjeteve tjera shpërthyese. Ekspertët deminues të Kosovës mund të jenë thelbi i njësiteve speciale, duke punuar me Qendrat Vepruese të OKB-së për Deminim nëpër botë.

Kosova ka qenë projekt i komunitetit ndërkombëtar për dekada. Për të mbetur relevante, Kosova duhet t’i demonstrojë vlerat e saja ndaj administratës Trump. Bashkëpunimi më i madh në siguri do t’i shërbejë agjendës “Së pari Amerika” të Trumpit. Kjo do t’i avanconte edhe interesat e Kosovës.

David L. Phillips është drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia. Ai ka shërbyer si Këshilltar i Lartë dhe Ekspert i Punëve të Jashtme në Departamentin e Shtetit gjatë administratave Clinton, Bush dhe Obama. Ai ka shkruar edhe shumë libra, përfshi “Çlirimi i Kosovës: Diplomacia detyruese dhe intervenimi amerikan”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button