Agresioni i jashtëm apo shkatërruesit e brendshëm!

Nisur nga praktika e deritanishme e krerëve shtetëror maqedonas në ikje, të cilët në përmbyllje të karierës politike dhe të gjindur përpara konsumimit të plotë politik, si për rastësi, të gjithë ndjekin rrugën e njëjtë të krijimit të alibisë, duke improvizuar fajtorin. Në ditët e fundit të politikës së tyre, shpesh-herë kanë apostrofuar se janë “viktimë politike” e shqiptarëve (“e keqja e domosdoshme”), por jo-rrallë herë thonë që janë viktimë politike edhe e pjesëtarëve të komunitetit ndërkombëtar apo të disa shteteve të Perëndimit (që për fat të keq na qenkan “miq” të shqiptarëve, sipas tyre).

Si zakonisht emëruesi i përbashkët i akuzave që ju drejtojnë janë, citoj: “shkelja e sovranitetit të RM”, “ndërhyrje armiqësore nga forca të jashtme”, “shtete të caktuara që nuk ia duan të mirën vendit”. Ajo që nuk e thonë, por vetëm se sorrollaten është dyshimi për bashkëveprim politik të ndërkombëtarëve me shqiptarët. Kompleks ky që na transmetohet përmes megafonëve partiak pothuajse një dekadë të plotë. Ky kompleks inferioriteti i politikës maqedonase, s’meriton analizë të mëtejshme përshkak të paqëndrueshmërisë logjike. Analogji duhet të bëhet mes mirënjohjes apo mos mirënjohjes, që elita politike maqedonase pasqyron përballë faktorit ndërkombëtar.

Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Zvicra, SHBA-ja dhe Britania e madhe janë donatorët më të mëdhej të Qeverisë së Maqedonisë- VMRO-DPMNE. Kjo e fundit duhet të kuptojë një gjë, që kampanjat sistematike për të stigmatizuar Ambasadorët të cilët zbatojnë politikën e jashtme të shteteve amë, janë hipokrizi e skajshme. Maqedonasit (ata që urrejnë ndërkombëtarët por edhe ata që nuk e shprehin atë) duhet të rikujtojnë dhe të jenë mirënjohës që 90% të projekteve në infrastrukturën vendore, lokale apo qëndrore, financohen drejtpërdrejt nga këto shtete dhe nga institucionet financiare që operojnë po në këto shtete. BE-ja në 6 vitet e kaluara në formë donacionesh i dhuroi Maqedonisë 640 milion €, ndërsa edhe në 6 vitet e ardhshme ka ndarë 622 milion € plotësuese. Nga ana tjetër USAID dekadën e kaluar në formë donacionesh dhuroi 1 miliard $, dhe në 10 vjeçarin e ardhshëm edhe njëherë aq (+1 miliard $).

Ku qëndron absurditeti i këtij reagimit të çoroditur, në ikje? Mentaliteti neo komunist-lindor, i përcjellur nga politika dhe shpirti hileqar i të njëjtëve, dëshirojnë që të abuzojnë jo vetëm buxhetin qëndror të taksapaguesve vendas (përfshirë taksapaguesit shqiptar), por të abuzojnë edhe me mjetet financiare që i përfitojnë nga donatorë të huaj, e që janë mjete financiare të taksapaguesve të huaj. Kjo sjellje kriminogjene, politikisht mund të ndodh që të amnistohet për një kohë të caktuar, për aq sa të mbushet kupa dhe të pëlcasë mos-durimi, por nga ana e shteteve donatore nuk falet abuzimi financiar!

Fjalorin e drejpërdrejt, rrallë herë jodiplomatik të ndërkombëtarëve, nuk duhet keqkuptuar dhe as nxjerur nga konteksti dhe cilësim të saj si agresion apo shkelje të sovranitetit të RM-së. Logjika e shëndosh e kupton angazhimin e tyre për progresin e vendit. Prandaj, tentimi për të satanizuar miqt e vërtetë perëndimor, atje ku “Ne” shqiptarët dhe “Ju” maqedonasit, kemi në emigracion afërsisht sa gjysma e popullsisë së këtejshme, është veprim mos-mirënjohës. Mbase edhe në mungesë të legjitimitetit, nuk mund të flisni për Ne, Jo në emrin tonë, Jo në emrin tim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button