Thaçi: Kosova e dëshmoi qysh në Rambuje se është për dialog
Konferenca e Rambujesë, 18 vjet më parë, ishte konferenca e parë ndërkombëtare me përfaqësim gjithëpërfshirës të Kosovës, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetin social Facebook.
“Edhe atëherë dëshmuam se jemi për dialog dhe paqe, duke besuar në vlerat evropiane dhe në përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë”.
“Ne iu kemi qëndruar besnikë këtyre vlerave, të cilat i kemi shndërruar në udhërrëfyes për rolin dhe angazhimin e shtetit tonë si anëtar konstruktiv i bashkësisë ndërkombëtare dhe model për ndërtimin e paqes. Kjo konferencë ishte pikënisje e çlirimit dhe më pas e pavarësimit të Kosovës”, shkruan Thaçi, transmeton REL.
Në këtë konferencë, që u mbajt nën organizimin e bashkësisë ndërkombëtare, më 6 shkurt të vitit 1999, morën pjesë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë.
Konferenca që zgjati 17 ditë, nuk solli nënshkrimin e dokumentit të mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, për zgjidhjen e krizës në Kosovë, kurse Grupi i Kontaktit vendosi që negociatat të vazhdojnë më 15 mars në Paris.
Rrethi i dytë i negociatave përfundoi me nënshkrimin e dokumentit nga pala shqiptare dhe refuzimin e palës serbe.
Një javë më vonë, më 24 mars, filloi bombardimi i caqeve serbe nga NATO-ja.