Blerim Destani flet për “Amsterdam Express”

E takuam Blerim Destanin në premierën e filmit “Amsterdam Express”, me regji të Fatmir Koçit. Megjithëse ishte protagonist absolut i mbrëmjes, Blerimi kishte një natyrë shumë të qetë dhe e gjeti kohën e duhur të takohej e të bisedonte me të gjithë të pranishmit, edhe me ne. Djali simpatik, të jepte përshtypjen e një njeriu fjalëpak, shkruan Gazeta Shqiptare.

Modern dhe i buzëqeshur, protagonisti i “Amsterdam Express” iu përgjigj me dëshirë të gjitha pyetjeve tona ngacmuese. Duke qenë të vetëdijshëm se djaloshi nga Tetova është tejet i preferuar nga vajzat tona, u përpoqëm të zbulonim sa më shumë që të mundeshim prej tij…

Më poshtë mund të lexoni të vërtetat dhe dëshirat e jetës së Blerim Destanit.

Je protagonist i një filmi në të cilin përfshihesh në martesë, në tradhti bashkëshortore e ndërkohë ndihmon edhe një prostitutë. A ke jetuar diçka nga këto në jetën reale, për shembull, a ke pasur ndonjëherë lidhje paralele?
Të them të vërtetën, unë kam kohë që s’kam pasur asnjë lidhje, jo më disa të tilla (buzëqesh). U bë shumë që nuk kam jetuar një lidhje serioze.

Sa kohë ke pa u lidhur me një vajzë?

Rreth 5-6 vjet. Domethënë njeriu vetëm s’është kurrë, por nuk kam pasur për kaq kohë një lidhje serioze.

Pse kaq shumë kohë pa një të dashur?
Po ja, kam qenë me xhirime. Kam udhëtuar shumë. Veç kësaj, një miku im ka thënë: “Kur nuk di çfarë do, ngelesh vetëm”.

Do të thotë që je i paqartë dhe s’ke gjetur ende çfarë do?
Në fakt tashmë unë jam i qartë. Ka kohë që jam i qartë, por tani që e zbulova, nuk po gjej dot pjesën tjetër (qesh).

Nuk ka asnjë vajzë momentalisht që të tërheq?
Ka shumë vajza që më pëlqejnë. Problemi kryesor është që, duke mos pasur mundësinë për ta njohur një vajzë nga afër për një kohë të gjatë, për shkak të punës dhe lëvizjeve të mia, ajo do të keqkuptohej dhe do të krijonte një përshtypje të gabuar. Pra nuk do të arrinte dot të më njihte si jam në të vërtetë. Një alternativë do të ishte ta merrje me vete kudo vajzën që pëlqen.

E ke menduar?
Puna është që, derisa ta bëj për vete është e vështirë, derisa t’ia mbush mendjen. Pasi të jetë bërë e dashura ime, atëherë është e lehtë ta marr me vete kudo (qesh). Në film, ndihmoje një prostitutë që ishte në vështirësi.

Ke njohur ndonjëherë nga afër një prostitutë?
Po, kam njohur. Ka ndodhur kur kam qenë në club-e.

Si je prezantuar me to?
Kam njohur vajza striptiste, kur kam qenë në club-e striptizmi jashtë Shqipërisë.

U je afruar ti atyre, apo striptistet ty?
U jam afruar unë. U kam vënë edhe dollar tek reçipetat (qesh).

Ç’mendim ke ti për këto lloj femrash?
Ka dy lloje prostitutash. Njëra që është e zonja e vetes dhe tjetra që bën atë që i thotë dikush tjetër. E para është e zonja e vetes sepse ka gjetur një mënyrë për të fituar para dhe për t’i krijuar vetes kushtet e jetesës. Ajo tjetra e bën pa asnjë lloj përfitimi, duke iu nënshtruar dikujt tjetër, pa gjetur mënyrën për të ikur nga kjo lloj mënyre të jetuari. Pak a shumë këtë realitet jemi përpjekur të pasqyrojmë edhe në filmin tonë. Në Amsterdam ka mbi 80 mijë lloje prostitutash. Një pjesë e tyre e bëjnë këtë punë për të përfituar vetë, ndërsa pjesa tjetër kanë tutor. Këto të dytat bëjnë një jetë mjaft të vështirë, pasi konsiderohen si pronë e tutorëve të tyre. Një tutor mund ta shesë një vajzë për një shifër të caktuar. Në momentin që shitet, kjo vajzë është përjetësisht pronë e dikujt tjetër. Ka raste që këto vajza shiten edhe 2 apo 3 herë. Një njeri që lejon veten të shitet e të blihet në këtë mënyrë gjatë gjithë jetës, është e pafalshme.

Do e bëje shoqe ti një femër të tillë?Po të dashurës do t’ia pranoje një të kaluar si kjo?
Një vajzë që e bën për të fituar para për të jetuar, edhe mund ta bëja. Tani, për të dashur, një shprehje thotë “Kurrë mos thuaj kurrë”. Megjithatë nuk besoj se unë do arrija në një pikë kaq të afërt me një njeri që ka zgjedhur këtë jetë. Është çështje personaliteti. Në film trajtohet edhe tema e drogës.

Ti, ke provuar ndonjëherë të konsumosh drogë?
Drogën s’e kam provuar kurrë. Unë nuk e pi duhanin. Për këtë shkak nuk e kam provuar as hashashin, megjithëse i kam ca shokë që pinë hashash. E vetmja që më pëlqen dhe e konsumoj shpesh është puro. Kam qenë dy herë në Kubë dhe jam dashuruar jashtëzakonisht me aromën e puros dhe me filozofinë e saj. Puro më relakson.

Sa do të qëndrosh në Tiranë?
Në Tiranë kam ardhur vetëm për premierën e filmit, pasi aktualisht vazhdoj xhirimet për një film tjetër. Është një film që po realizohet në Gjermani, aksion i mirëfilltë.

Si ndihesh në këto role kaq dinamike?
Një aktor duhet të ndihet mirë në çdo rol. Ky film ka goxha lëvizje, vrasje, shpërthime. Më pëlqen.

Tirana, të pëlqen?

Shumë. Vij shpesh në Tiranë. Nga të gjithë njerëzit që kam takuar këtu, kam kuptuar se të lumtur nuk të bën vendi ku ndodhesh, por koka. Lumturia është në mendjen e njeriut. Këtu kam takuar njerëz që janë të lumtur me atë çka kanë, me jetën e tyre. Këtu kam edhe miq shumë të mirë.

Femrat e Tiranës, si të duken?
Vajzat e Tiranës janë pika ime e dobët. Kanë një feminilitet absolut. Kjo më pëlqen shumë.

Mamaja jote, çfarë të thotë? Nga do e donte ajo nusen tënde të ardhshme?

Mami nuk përzihet shumë në këtë. Më thotë: “Merre nga të duash, vetëm aman, merre një” (qesh)

Lajme të ngjashme

Back to top button