SHBA fut në panik drejtësinë, pas Llallës edhe gjyqtarët rebelohen ndaj Donald Lu: Nuk na nëpërkëmb dot

Reforma në drejtësi duket se ka futur në panik të gjithë sistemin e gjyqësorit. Pas reagimit të ashpër të Adriatik Llallës, dje janë bërë bashkë kundër ambasadorit amerikan, Donald Lu, të gjithë gjyqtarët. Reagimi duket se merr shkas nga qëndrimi i përsëritur i ambasadës amerikane për t’i shkuar deri në fund pastrimit të sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe të paaftët.

Përplasja e nisur të enjten mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ambasadorit, Donald Lu, për heqjen e vizave për udhëtime në SHBA, po pasohet nga reagimet e gjyqtarëve. Në një reagim për mediat, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë deklaroi se nuk do të lejojë nëpërkëmbjen e dinjitetit të gjyqtarëve. Shoqata e gjyqtarëve theksoi se ka dhënë rekomandime për reformën në drejtësi, ndërsa shtoi se rastet e heqjes së vizave duhet të jenë individuale dhe të mos shërbejnë si matës së punës së gjyqtarëve, tranmseton Agjensia e Lajmeve Sot News.

“Ne nuk kemi të drejtë të hamendësojmë mbi shkaqet, por i garantojmë vendet mike dhe kontribuuese në reformën në drejtësi, sikurse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se institucionet e drejtësisë nuk kanë qenë, nuk janë dhe as nuk do të jenë pengesë në kryerjen e kësaj reforme, por as nuk do të lejojnë që të nëpërkëmbet dinjiteti i funksionarëve të drejtësisë”, reaguan gjyqtarët. Sipas kësaj shoqate, rastet e heqjes së vizave duhet të trajtohen si raste individuale. “Anulimi i vizave për disa nga kolegët tanë është një çështje që duhet të trajtohet individualisht për secilin rast dhe nuk mund të shërbejë as si etalon matjeje për punën në institucionet e drejtësisë dhe as kriter për vendimmarrjen e organeve që do të realizojnë procesin e vetingut”, thuhej në deklaratë.

Sulmet e padrejta

Shoqata e gjyqtarëve në vijim të reagimit, thekson se nuk do të komentojë deklaratën e bërë nga ambasadori amerikan, por shton se sulmet janë të padrejta. Sipas gjyqtarëve, akuzat publike të bëra ndaj gjyqësorit janë të padrejta dhe mjaft të fryra. “Na lejoni t’ju theksojmë se si zyrtarë të lartë të një vendi demokratik nuk mund t’ia lejojmë vetes komentimin mbi një vendim sovran të një vendi mik. Megjithatë, nuk mund të rrimë në heshtje dhe të vazhdojmë të mbajmë mbi supe sulmet e padrejta dhe akuzat e fryra që aktorë publikë dhe segmente të caktuara janë duke i bërë organeve të drejtësisë prej disa kohësh, duke i konsideruar funksionarët e sistemit të drejtësisë si zyrtarë që nuk e duan reformën në drejtësisë”, reaguan gjyqtarët. Duke u rreshtuar në krahun e njerëzve që e duan reformën në drejtësi, shoqata kombëtare e gjyqtarëve thekson se kanë dhënë kontribut në ligjet e reja që janë përgatitur për sistemin dhe këto propozime kanë marrë vlerësim nga Komisioni i Venecias. “Kemi theksuar që në fillim të kësaj reforme se organet e drejtësisë në vend, padrejtësisht janë etiketuar si “pjesa e sëmurë” e organizmit shtetëror dhe e keqja që duhet luftuar. Kjo frymë anti-institucionale ka ardhur në rritje, deri në pikën sa tashmë reforma po konceptohet si një reformë kundër sistemit të drejtësisë dhe jo reformë për sistemin e drejtësisë”, thuhet më tej. Ky reagim vjen pasi ambasada amerikane u ka hequr vizat 23 prokurorëve dhe gjyqtarëve para nisjes së vetingut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button