Moska po shtrin duart në Maqedoni: Ndikime të huaja po trazojnë vendin
Duke dhënë një tjetër shenjë të shtimit të interesit të saj në Ballkan, Rusia reagoi përmes ministrisë së saj të Jashtme mbi ambasadorin amerikan në Shkup, Jess Baily.
Moska foli për ndikime të huaja që po përkeqësojnë, siç thotë ajo, gjendjen në Maqedoni. Autoritetet ruse pretendojnë se Perëndimi kërkon të largojë politikanët që nuk i përshtaten, edhe pse kjo bie ndesh me vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare të Maqedonisë.
Zëri i Amerikës sqaron se ankesat e VMRO-DPMNE-së ndaj përfaqësuesit të lartë të shtetit amerikan nuk gjejnë jehonë tek parti të tjera apo aktivistët në Shkup.
Pushteti aktual, sipas tyre, po kërkon armiq tek SHBA-ja dhe BE-ja. Është e qartë, shkruajnë ata, se Maqedonia nuk ka probleme nga mosmarrëveshje ideologjike, e majta me të djathtën, siç pretendon ta paraqesë pushteti, por probleme të natyrës kriminale, përkatësisht beteja për të kapërcyer sundimin e së drejtës dhe vënien në jetë të përgjegjësisë penale të politikanëve të inkriminuar.
Stuhinë kundër ambasadorit e ngriti VMRO-DPMNE, e cila para pak ditësh i kërkoi sqarime misionit diplomatik amerikan lidhur me një shkresë që vinte nga ambasada në mbështetje të përpjekjeve për formimin e një koalicioni të gjerë qeveritar. Sipas VMRO-së, Baily po ndërhynte në punët e brendshme të vendit. Partia e Nikolla Gruevskit hodhi edhe dyshime se ai mund të ketë qenë duke vepruar pa mbështetjen e administratës së re në Uashington.
Gjashtë ligjvënës amerikanë i kërkuan Baily-t përgjigje ndaj këtyre akuzave të ngritura kundër tij.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se ashpërsimi i gjuhës së zyrtarëve të lartë të VMRO DPMNE-së ndaj diplomatëve të huaj vë në rrezik të ardhmen e vendit, veçanërisht orientimin e saj euroatlantik.
“Kritikat janë një lloj strategjie që të shfrytëzohet ndërrimi i administratës amerikane duke paraqitur veten, përkatësisht VMRO DPMNE-në, si viktimë e administratës së më hershme. Por kjo është krejtësisht e gabuar sepse të gjitha indicet janë se SHBA do të vazhdojnë me qasjen e njëjtë ndaj Maqedonisë si shtet, përkatësisht mbështetjen amerikane ndaj Maqedonisë në procesin e eurointegrimeve. Ky proces është i pa mundur pa realizimin e plotë të marrëveshjes politike të njohur si marrëveshja e Përzhinos e cila u arrit me ndihmën e drejtpërdrejt të ambasadorit amerikan në Shkup Jess Baily”, thotë Pero Dimshoski.
LEXO më shumë në: Sulmet ndaj ambasadorit amerikan, vënë në rrezik ardhmërinë e Maqedonisë