Sulmet ndaj ambasadorit amerikan, vënë në rrezik ardhmërinë e Maqedonisë

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se ashpërsimi i gjuhës së zyrtarëve të lartë të VMRO DPMNE-së ndaj diplomatëve të huaj vë në rrezik të ardhmen e vendit, veçanërisht orientimin e saj euroatlantik. Partia VRMO DPMNE ditët e fundit në vazhdimësi ka kërkuar sqarimin nëse Ambasada e SHBA-së në Shkup flet në emër të administratës së SHBA-së, duke shfaqur në këtë mënyrë mosbesim ndaj ambasadorit Jess Baily. Ndërkohë, në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se administrata amerikane ka besim të plotë në Ambasadën e SHBA-së dhe ambasadorin amerikan në Maqedoni Baily.

Ish sekretari shtetëror i ministrisë së se integrimeve Pero Dimshoski, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin FON të Shkupit, thotë për REL se  sulmet e VMRO DPMNE-së ndaj faktorit ndërkombëtar veçanërisht ndaj ambasadorit amerikan në Shkup Jess Baily, rëndojnë edhe më shumë situatën politike në të cilën ndodhet Maqedonia.

“Kritikat janë një lloj strategjie që të shfrytëzohet ndërrimi i administratës amerikane duke paraqitur veten, përkatësisht VMRO DPMNE-në, si viktimë e administratës së më hershme. Por kjo është krejtësisht e gabuar sepse të gjitha indicet janë se SHBA do të vazhdojnë me qasjen e njëjtë ndaj Maqedonisë si shtet, përkatësisht mbështetjen amerikane ndaj Maqedonisë në procesin e eurointegrimeve. Ky proces është i pa mundur pa realizimin e plotë të marrëveshjes politike të njohur si marrëveshja e Përzhinos e cila u arrit me ndihmën e drejtpërdrejt të ambasadorit amerikan në Shkup Jess Baily”, thotë Pero Dimshoski.

Të premten ka reaguar edhe ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë duke u përqendruar në komentet e politikanëve të rajonit lidhur me zhvillimet politike në Maqedoni, kryesisht atyre shqiptarë.

“Politikanët nga vendet fqinje të cilët me këmbëngulje tentojnë ta tërheqin vëmendjen nga problemet në vend, me ndezje të zjarrit tek fqinjët shkojnë në kundërshtim me vlerat evropiane. Natyrisht që më tërheqëse është të merren me vendet fqinje në kushte kur vështirë se iu shkon me nevojat reale të qytetarëve në vendin personal. Megjithatë, për të gjithë do të jetë më mirë të përkushtohen në reformat që i kanë shumë të nevojshme përpara se të ëndërrojnë për udhëheqje dhe të krijojnë ndarje në rajon”, thonë nga MPJ-ja.

Në këtë drejtim Arsim Sinani njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se pala maqedonase ka frikë se humb pushtetin se nuk do të arrijë të manipulojë faktorin politik shqiptar sepse ata kanë dalë me një platformë të përbashkët.

“VMRO DPMNE dhe drejtuesit e institucioneve nga kjo parti, konfliktin e brendshëm dhe krizën në vend dëshiron ta eksportojë jashtë. Aspak nuk është e vërtetë se vendet fqinje nxisin zjarrin në Maqedoni. Edhe Tirana edhe Prishtina kanë kontribuuar në stabilizimin e situatës në Maqedoni. Kërkesat e shqiptarëve janë kërkesa shumë legjitime që nga pavarësia e Maqedonisë si shtet e këndej dhe tani ka ardhur koha që faktorizimi i klasës politike shqiptare të kapitalizohet me realizimin e të drejtave të shqiptarëve të inkorporuara si kërkesa të qarta në platformën e përbashkët të partive politike shqiptare të Maqedonisë”, thekson Sinani.

Partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski ,VMRO DPMNE, pas takimeve me diplomatët e huaj ka njoftuar se me bashkëbiseduesit ka dallime të mëdha sa i përket formave për formimin e qeverisë së re dhe përsëritjes eventuale të zgjedhjeve.

Përderisa nga kjo parti kanë njoftuar se pas takimit që ka realizuar Nikolla Gruevski, partia e të cilit doli fituese në zgjedhje, me ambasadorin rus në Maqedoni është vërejtur mes dy bashkëbiseduesve pajtueshmëri për të gjitha çështjet e diskutuara.

Reagoi edhe Ambasada Amerikane e cila tha se janë të hapur për pyetjet nga Kongresi dhe për mundësinë që do ta kenë për të dhënë informacione në lidhje me aktivitetet e tyre dhe për kontekstin në të cilin punojnë për t’i arritur qëllimet.

“Ne do t’i përgjigjemi kësaj kërkese ashtu siç është kërkuar“, thanë nga Ambasadda e SHBA-së në Shkup. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button