Meta mbështet Llallën: Kryeprokurori respektoi ligjin

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar pasditen e së premtes lidhur me përplasjen Llalla-Lu se, pas akuzave të ambasadorit ka kërkuar sqarime nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me përzgjedhjen e kandidaturave për Këshillin e Emerimeve në Drejtësi, transmeton Top Channel.

Ndryshe nga ambasadori Lu, që akuzoi organin qendror të akuzës se kishte shkelur Kushtetutën duke përzgjedhur i vetëm 3 kandidatët nga 9 që duhet të ishin, Meta ka nënvizuar se pas konsultimit me dokumentacionin zyrtar të ofruar ka konstatuar se kryeprokurori ka zbatuar Kushtetutën dhe ligjin.

“KED përbëhet nga 9 anëtarë. Kandidatët e përcjellë duhet të plotësojnë kriteret dhe kushtet ligjore në mënyrë të plotë, siç ka vendosur Kuvendi në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, hartuar me asistencën e EURALIUS dhe OPDAT”, ka deklaruar Meta.

“Nga kandidaturat plotësonin kriteret vetëm 1 nga propozimet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe vetëm 2 nga ato të prokurorive të apelit në qarqe”, ka thënë ai.

Sipas kryetarit të Kuvendit, kriteri mungues tek kandidatët e tjerë, 3 prej të cilëve vinin nga Prokuroria e Përgjithshme dhe të tjerët nga prokuroritë e apelit në rrethe, është shkolla e Magjistraturës.

Për të përforcuar qëndrimin e tij, Meta ka shtuar se, “në përfundim të procesit të përzgjedhjes asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme, as në Kuvend dhe as publikisht”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button