Meta tenton të qetësojë situatën në koalicion. Përshëndet deklaratën e Mattis

Pas një dite me shumë tensione, akuza dhe përplasje mes eksponentëve të lartë të LSI-së dhe PS-së, Ilir Meta tentoi që të qetësojë situatën në një takim me strukturat e partisë së tij në Njësinë Nr. 5 të Tiranës, por njëkohësisht të përcjellë edhe mesazhe, transmeton Top Channel.

Edhe pse nuk foli drejtpërdrejt për zhvillimet në koalicion, Meta la të kuptohet se deklarata e tij kishte të bënte pikërisht për këtë situatë të fundit.

“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, deklaroi Meta.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Braimllari ishte më i drejtpërdrejtë në lidhje me zhvillimet e fundit, kur tha se kolegjialiteti i brendshëm i LSI-së është garanci për funksionimin e qeverisjes dhe se vendimet nuk mund të merren vetëm, por në bashkëpunim të plotë.

Ndërkohë, zyra e Shtypit e LSI-së shpërndau me video vetëm deklaratën e Metës, i cili në këtë aktivitet partiak zgjodhi të flasë për zhvillimet në rajon dhe të përshëndeste qëndrimin e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes për Kosovën.

“Përshëndes një qëndrim mjaft pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, Mattis, për Kosovën, që konfirmoi përkundër çdo lloj shqetësimi dhe paragjykimi më parë se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve. Kjo është tepër pozitive duke pasur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kohët e fundit. Dhe njëkohësisht shumë e rëndësishme për stabilitetin e të gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh, por edhe pasigurish”, deklaroi Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button