Arben Rusi: Ja pse dhash dorëheqje nga PPD-ja

Kryetari i PPDS-së, Arben Rusi, nëpërmjet një komunikate informon se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit ët partisë.

Funksionin e kryetarit të PPD-së, tani e kryen Jeton Xheladini. Sipas përfaqësuesit të kësaj partie Muhamet Halili, Xheladini do të jetë kryetar i partisë deri në fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare. Muhamet Halili thotë se PPD-ja do të ketë një kryetar, por tani për tani nuk është përzgjedhur ndonjë emër.

Në komunikatën e tij Arben Rusi shkruan: “Pranova të jem kryetar i PPD-së së ri themeluar, ngaqë nga grupi themelues mu premtua se iniciativa është e sinqertë dhe ka vetëm një synim të vetëm, avancimi i mirëfilltë i të drejtave themelore të shqiptarëve (që u mungojnë) si dhe përmirësimi i gjendjes kaotike që mbizotëron në politikën shqiptare në Maqedoni. Duke u nisur nga kjo, ndjeva përgjegjësi që të marr guximin edhe unë të kontribuoj në këtë iniciativë. Besoj se nuk mund që të përmirësohet gjendja e një populli, përderisa nga vetë ai nuk dalin njerëz që do ta marrin guximin dhe të veprojnë me sinqeritet në atë drejtim. Një pjesë e madhe e popullit janë të vetëdijshëm për situatën aktuale në këtë nën qiell, mirëpo mungon guximi për të ndërmarrë hapa konkret”.

“Me vetë rithemelimin e PPD-së, shpresoja se të gjithë ata që mendojnë se mund  të kontribuojnë në të mirën e përgjithshme, do të bashkëngjiten, që të formohet një grup cilësor i intelektualëve që do të mund të ngrejnë gjendjen e popullit në atë nivel që i takon. Jo rastësisht, me datë 19.03.2014 thira takim konkret, në vend neutral, për përfaqësuesit legjitim të popullit që të ndërmerret diçka konkrete në drejtimin që e ceka më lartë”, shkruan Arben Rusi.

Rusi thotë se me këtë, fatkeqësisht, u vërtetua se askush nga ata që duhet denjësisht ta përfaqësojë popullin nuk ishte i interesuar për një veprim të përbashkët gjithë shqiptar.

“Opinioni im është se populli dëshiron ndryshime. I referohem edhe shumë intelektualëve që me sugjerime shumë të qëlluara të botuara në shtypin shqiptar, me shumë sukses, kanë detektuar problemet e shoqërisë dhe kanë ofruar mendime për zgjidhje shumë të qëlluara. Për fat të keq, grupacionet politike , gjithmonë me përjashtime, ose nuk e ndjekin shtypin apo për “interesa” që vetëm ata i dijnë, nuk ndërmarrin veprime për të ndryshuar gjendjen”, shkruan Arben Rusi.

“Me këtë letër i drejtohem opinionit nga arsyeja se ndërgjegjja ime nuk më lejon të manipulohem dhe të jem objekt i prapaskenave të errëta politike. I kërkoj ndjesë të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PPD-së për këtë letër në prag të zgjedhjeve. Jam i mendimit se kjo ishte e nevojshme dhe do ti kontribuojë forcimit dhe ri ngritjes të PPD-së në skenën”, thotë Arben Rusi.

Lajme të ngjashme

Back to top button