Thaçi: Të dy palët jemi dakorduar se dialogu nuk ka alternativë

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, mbajti një konferencë për shtyp pas kthimit nga Bruksel, ku së bashku me kryeministrin Isa Mustafa mori pjesë në takimet për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi tha se zhvillimet e fundit, siç i quajti ai “të hidhura me veprime provokative”, kanë bërë që këto takime të jenë të vështira dhe të rënda.

“Mund të them se jam i kënaqur që qëllimi kryesor i këtij takimi që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangja e provokimeve të pa nevojshme është arritur. Mirëpo, na mbetet shumë që të punojmë për normalizimin e plotë të raporteve ndërshtetërore. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të flasim hapur dhe të kërkojmë nga Serbia ndalimin e veprimeve, që siç e dimë si rezultat kanë pasur destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë”, deklaroi Thaçi.

Sipas presidentit Thaçi, gjatë takimeve është arritur një mirëkuptim nga të dy palët për uljen e tensioneve dhe për rritjen e seriozitetit në përkushtimin e procesit të dialogut.

“Të dy palët, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë jemi dakorduar se dialogu nuk ka alternativë. Një dakordim tjetër mes palëve të përfshira ka qenë edhe gadishmëria për intensifikimin e takimeve të nivelit të lartë politikë dhe ne si përfaqësues të Kosovës kemi shprehur dhe shprehim edhe sot gadishmërinë tonë që ta japim kontributin maksimal dhe konstruktiv në këtë aspekt”, tha Thaçi.

Duke vënë në dukje se tani dialogu ka arritur në fazën përfundimtare, Thaçi u shpreh se ky proces duhet të ketë një rezultat përfundimtar të normalizimit të marrëdhënieve të plota. Sipas tij, kjo mund të arrihet nëpërmjet negociatave me ndërmjetësimin e Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button