Presidenti serb Nikoliç: Beogradi dhe Prishtina vështirë të merren vesh

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç pas takimit të sotëm me Shefen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini deklaroi se Beogradi dhe Prishtina vështirë se do të merren vesh për çfarëdo qoftë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mendoj se vështirë se do të arrihet çfarë do marrëveshje. Për këtë kam biseduar me zonjën Mogherini. Çfarë mundemi të merremi vesh kur ata vijnë këtu si përfaqësues të një shteti të pavarur, kanë mbështetjen e madhe të BE-së, sot kanë hyrë në UEFA”, ka thënë Nikoliç për RTS në Bruksel, në prag të takimit me delegacionin e Prishtinës.

Presidenti serb tha se Mogherini ka thirrur takim dhe ka thënë se ndjen ngecje në dialog dhe ekzistojnë çështje për të cilat duhet të jepet përgjigje, sepse situata është tensionuar.

“Unë duhesha patjetër të përgjigjem i pari dhe të them se çfarë qëndron në shpirt – e ajo është insistimi i pandërprerë në njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Nikoliç.

Ai shtoi se BE-ja dëshiron të shohë nëse do të vjen deri tek konflikti i ri mes dy palëve, por se Nikoliç tha se edhe Mogherini ka thënë se nuk ka vend për konflikt.

“Fillimisht duhet të merremi vesh për veprimet në rastet e ardhshme. Ne nuk kemi reaguar me kërcënim të armës kur shqiptarët kanë promovuar madje edhe Shqipërinë e madhe”, tha Nikoliç dhe shtoi se mbishkrimet në tren nuk guxon të jenë shkas për luftë.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit sot mbahet në nivelin më të lartë politik. Në takim kanë ardhur presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Tomislav Nikoliç dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç.

Takimi mbahet me ftesë të Komesares së BE-së për shkak të tensioneve të fundit mes dy palëve. Takimet bilaterale me Mogherinin kanë filluar sot në ora 19:00 ndërsa pritet që delegacionet të takohen më vonë.

Thaçi sot ka thënë se ky takim është një hap drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, përderisa kryeministri i Serbisë ka thënë se bisedimet mbi pavarësinë e Kosovës nuk janë të mundshme si dhe as tërheqja e fletëarresteve për krime lufte.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button