BDI dhe Ali Ahmeti kanë shansin t’i shpëtojnë “vdekjes politike”

Shqipëria dhe Kosova vëzhgojnë zhvillimin e situatës politike në IRMJ, në pritje të vendimmarrjes politike të koalicionit shqiptar për zgjidhjen e krizës qeverisëse. Zgjidhja e krizës politike në IRMJ nuk kalon pa ndikime edhe në shtetin e Kosovës. Kosova nuk mund të bëhet një shtet i stabilizuar, pa u arritur paqja në IRMJ, me kushte të barabarta nacionale për popujt që jetojnë brenda saj. Kjo është garancia e stabilitetit, me mundësinë e krijimit të një federate, me dhomën e Nacionaliteteve. Vetëm kjo i hap rrugën paqes. IRMJ ka nevojë për një reformë të tillë. Shembuj në botë ka shumë, ku zgjedhjet bëhen brenda etnisë.

Në këtë çështje delikate le të bien shumë kambana, por për ne ajo që ka kumbimin më të fortë, atë do të dëgjojmë. Dhe kjo kambanë është çështja kombëtare. Sot në IRMJ bie kambana për nevojën e unitetit shqiptar, për ta nxjerrë IRMJ nga kriza politike dhe nacionale.

Në trajtimin e krizës politike në IRMJ, në analizën politike po i referohemi teoremës së Pitagorës, duke pranuar si të vërtetë, atë që në fakt nuk është e vërtetë, pasi të gjejmë argumentet e duhura për të shkuar tek e vërteta.

  1. Marrim variantin e koalicionit të Ali Ahmetit dhe BDI-së me VMRO-DPMNE.

Pavarësisht kushtit që veçohet për “zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjithë shtetin”, mundet që gjysma e deputetëve të BDI-së të mos jenë dakord dhe të largohen nga kjo aleance. Ka shumë mënyra për ta rrëzuar këtë qeveri të mundshme, e cila koston e çon direkt mbi reputacionin politik të BDI-së.

  1. Marrim variantin e dytë të BDI-së me koalicionin shqiptar në qeverisje me LSDM.

Zaev duhet të mbrojë premtimet para se sa të përfundonin zgjedhjet dhe para se sa të deklarojë këtë koalicion të mundshëm. Vetëm kështu qeverisja në IRMJ mund të mbahet. Ky pozicion politik e rëndon Zaevin në sytë e opinionit maqedonas, të ndikuar nga nacionalizmi i tyre, duke e quajtur “tradhtar”. Sigurisht që, në këtë variant ndryshimet nuk mund të vijnë menjëherë, por kjo e shpëton IRMJ nga shkatërrimi.

Sot brenda popullsisë maqedonase ka dy gjëra:

Së pari; një pjesë e mirë e popullsisë maqedonase mendon se është pasardhëse e popujve të mëdhenj sllav,

Së dyti; një pjesë e tyre mendojnë se janë pasardhës të një populli të lashtë dhe të madh, të Aleksandrit të Maqedonisë.

Kjo mënyrë e të menduarit nga ana e tyre, është për të qarë dhe për të qeshur.

Në këtë situatë, më shumë shanse për të marrë qeverisjen ne IRMJ ka Zaev, por deri tani po përballemi me lëkundjen e Ali Ahmetit, i cili me sa duket tenton të shpëtojë kokën nga përgjegjësitë e mëdha të qeverisjeve të mëparshme. Ai po mbahet fort pas kushtit “për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjithë IRMJ-në”, duke e ditur fort mirë që, këtë kusht Nikolla Gruevski nuk mund ta pranojë, pasi kjo më pas kërkon ndryshime të rëndësishme kushtetuese.

  1. Varianti i tretë mund të jetë fakti që deputetët e BDI-së të ndahen formalisht në dy pjesë dhe Ali Ahmeti ta pranojë formalisht një koalicion me VMRO-DPMNE, për t’i dalë borxhit dhe për t’i mbyllur gojën Gruevskit. Nga kjo skemë e fituar del LSDM-ja. Në këtë rast shikojmë që momentalisht Ali Ahmeti i trembet “vdekjes politike”.

Nëse nuk arrihet të krijohet një koalicion qeverisës, atëherë IRMJ kalon në zgjedhje të reja. Në një situatë të tillë, politika shqiptare e bashkuar sipas marrëveshjes së arritur, ku dhe PDSH duhet të gjejë pozicionin e saj kolektiv, me siguri e çon deri në 30 numrin e deputetëve shqiptarë për parlamentin e IRMJ.

Pos këtyre varianteve, na duhet të themi që, zgjidhja e krizës politike në IRMJ kërkon një kalkulim të saktë në analizën politike drejt vendimmarrjes në interes të shqiptarëve. Sot për sot, çelësi i zgjidhjes mbetet BDI-ja, të cilës këshillimet për variantin më të mirë asnjëherë nuk i kanë munguar.

Është rasti që në këtë shtet deri tani fantazmë, me vendimmarrjen tonë të mençur dhe të kalkuluar mbi analizën shkencore të faktorëve dhe situatave, politika shqiptare në IRMJ duhet të vihet në vijë të drejtë, e bashkuar në një koalicion të plotë shqiptar, për të filluar procesin e shpartallimit dhe të shqyerjes së prapambetjes historike të një shteti, të një populli apo të një kombi pa histori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button