BDI-ja, synon të mobilizojë diasporën shqiptare për te votuar

Një delegacion i lartë i BDI-së po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mobilizuar diasporën shqiptarë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për dallim nga 3 vjet më parë, kur në zgjedhjet e fundit parlamentare shqiptarët nuk arritën të fitojnë asnjë nga tre postet e deputetëve për të cilët voton diaspora, partia e Ahmetit kësaj radhe e ka kapur çështjen më seriozisht, duke synuar të paktën dy nga tre postet e deputetëve të diasporës. Bashkë me nënkryetarin e BDI-së Izet Mexhiti, janë edhe krerët e komunave të Kërçovës dhe Dibrës, Fatmir Dehari dhe Ruzhdi Lata, transmeton Alsat. 

“Këto zgjedhje të parakohshme nuk janë zgjedhje që do të përcaktojnë se do të fitojë pozita apo opozita, pasi disponimi i opinionit është i qartë, por janë zgjedhje që do përcaktojnë se kush do të faktorizohet më shumë në qeverinë e ardhshme, BDI-ja apo VMRO DPMNE-ja. Ndaj edhe jemi këtu, për të faktorizuar vullnetin shqiptar!”, deklaroi Izet Mexhiti,  nënkryetari BDI-së,transmeton Alsat.

Mobilizimi i BDI-së kësaj radhe i ngjan mobilizimit të vitit të kaluara kur mijëra mërgimtarë erdhën brenda ditës në vendlindje, në Kërçovë dhe Strugë, që të mos lejonin që këto dy qytete të udhëhiqeshin nga kryetar maqedonas. 

Ndërkohë, fushatë në diasporë ka nisur edhe VMRO-DPMNE-ja. Disa ditë më parë, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, edhe kreu i VMRO-së Nikolla Gruevski kërkuar votën e mërgimtarëve maqedonas.

“Dua të theksoj se jemi qeveria e parë e cila u ka kushtuar vëmendje më të madhe njerëzve tanë të shpërngulur nga Maqedonia, për shkaqe të ndryshme, dhe ka vendosur një komunikim më të afërt me ta. Këtë e kemi bërë përmes shumë hapave e veprimeve, të cilat i premtuam dhe i realizuam. Ndër to është edhe mundësia që të gjithë ata që u shpërngulën nga Maqedonia për shkaqe të ndryshme, të mund të votojnë në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë. Një gjë e tillë nuk ishte ofruar më herët”, tha ditë më parë Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Tre deputetët e diasporës zgjidhen sipas modelit të shumicës në një raund zgjedhor. Njëri zgjidhet për hapësirën mërgimtare në Evropë dhe Afrikë, një në dy Amerikat, dhe i treti në Australi dhe Azi.

Lajme të ngjashme

Back to top button