Berisha thirrje për luftë, akuzon Ramën dhe Tahirin për tritolin

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për luftë. Pasi kërcënoi se do të bënte pluhur qeverinë për pesë minuta me pesë mijë militantë, Berisha ka bërë thirrje për rebelim popullor.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Berisha ka akuzuar Edi Ramën dhe Saimir Tahirin si autorët kryesorë të shpërthimeve me tritol. Sipas tij, qeveria po e çon Shqipërinë drejt krimit, kaosit dhe greminës. Ish-kryeministri ka akuzuar Ramën se ka vendosur në krye të policisë dhe doganave, trafikantë me uniformë.“Vendi, me qeverinë Rama-Meta të sponsorizuar nga bandat dhe krimi, po rrokulliset me shpejtësi drejt kaosit dhe greminës.

Qeveritarët kanë vendosur në krye të rendit, porteve, aeroporteve, në dogana e polici, trafikantët e tyre me uniformë. Ata shkrinë policinë rrugore dhe atë kriminale për ti hequr krimit ndjekjen dhe hapur drogës korridoret. Ata sollën tritolin e partisë kundër kundërshtarëve politikë dhe njëri-tjetrit”, deklaroi Berisha. Ndërsa ka bërë një bilanc të krimeve të ndodhura ditët e fundit, e ka cilësuar atë si revansh të krimit ndaj shoqërisë shqiptare. “Në dy ditë, tre biznesmenë të vrarë, 5 tritole, 7 grabitje me maska, 20 ton droge të nisura drejt Italisë.

Ky është bilanci më dramatik i revanshit të krimit ndaj një shoqërie”, theksoi deputeti demokrat. Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protesta kundër qeverisë, ndërsa e ka cilësuar këtë të fundit si “shok të krimit në pushtet”. Ish-kryeministri theksoi se qytetarët shqiptarë duhet të mendojnë me seriozitet për sigurinë e jetës së fëmijëve dhe vendit në tërësi, duke u shprehur më tej, se qeveria “Rama”, po çon vendit drejt humnerës.“Të dashur miq, gjendja është dramatike dhe me këtë qeveri vetëm përkeqësim do të ketë. Është koha të mendojmë në mënyrën më serioze për sigurinë e jetës së fëmijëve tanë, të vetes tonë dhe vendit në tërësi. Të ngrihemi kundër shokëve të krimit në pushtet, përndryshe pasiguria e plotë do të jetë fati ynë”, u shpreh ish-kryeministri, Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button