Hoxhaj: Treni pjesë e politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot në një drekë pune ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë si dhe Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ku qëllimi i këtij takimi ishte informimi i vendeve mbështetëse të Kosovës për provokimet dhe sjelljet destruktive të Serbisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga MPJ bëhet e ditur se gjatë këtij takimi ministri Hoxhaj ka thënë se treni propagandues që Serbia ka dashur ta fusë në Kosovë nuk është ngjarje e izoluar por pjesë e një politike agresive dhe të zgjeruar të Serbisë në raport me Kosovën. Sipas tij, Kosova do t’i përgjigjet kësaj politike të papranueshme.

“Treni nuk është një ngjarje e izoluar, por është pjesë e një politike agresive dhe të zgjeruar të Serbisë në raport me Kosovën, të cilës Kosova do t’i përgjigjet duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, ka thënë Hoxhaj.

Ai po ashtu ka vënë në dukje se Serbia ka zgjeruar gamën e provokimeve në raport me Kosovën dhe ka shtuar se institucionet e Kosovës janë të shqetësuara për situatën në veri të vendit.

Ndryshe, ditën e shtunë me rastin e prezantimit të linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë nga e ashtuquajtura Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovë, është nisur treni nga Beogradi për në Mitrovicë. Me këtë rast afër vendkalimit kufitar Jarinjë ka patur përforcim nga forcat e Policisë së Kosovës dhe njësitet speciale ROSU.

Pas kësaj, treni i cili u ndalua në Rashkë, e cila ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit Kosovë-Serbi në Jarinë, u kthye përsëri në Beograd. Me largimin e trenit filloi edhe tërheqja e pjesëtarëve të forcave kosovare të sigurisë. Linja e rregullt e trenit në relacionin Beograd – Mitrovicë nuk qarkullon nga viti 1999.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button