Referendumi i Tearcës për qeverinë

Argumenti se duhet koalicionuar me VMRO-në si fituese tek maqedonasit përfundon me konkluzën absurde se nuk duhet koalicionuar me LSDM-në pasi për të kanë votuar plot shqiptarë

1. A duhet BDI të bëjë koalicion me VMRO-në apo LSDM-në? Cilat janë preferencat e partive tjera shqiptare? Çfarë mendon vetë popullata shqiptare në Maqedoni? Janë këto dilemat që preokupojnë më së tepërmi Maqedoninë dhe shqiptarët në periudhën pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe para formimit të qeverisë. Vetë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në intervistën në TV21 shtroi po këto dilema. Ndër të tjera ai tha se në periudhën e ardhshme krerët e BDI-së do të lëshohen tek baza për të parë disponiminin e votuesve te BDI-së dhe shqiptarëve në përgjithësi për çështjen e koalicionit.

Por në të vërtetë përgjigja e këtyre dilemave është mëse e qartë. Ndër dy partitë kryesore maqedonase, popullata shqiptare padyshim preferon partneritet me LSDM-në para VMRO-së. Indikatori më i mirë ishte fakti që një numër i madh shqiptarësh kanë votuar direkt për LSDM-në, ndërsa për të tjerët mjafton t’u hedhësh një sy rrjeteve sociale apo të shëtitësh e të bisedosh pak me njerëz nëpër çarshi. Nëse megjithatë dikujt i duhen argumente shtesë, sinjali më i mirë ishte rezultati i rivotimit të 25 dhjetorit në vendvotimin 2011 të Tearcës.

 

2. Në pamje të parë rivotimi në Tearcë dukej si humbje kohe. Në një vend të banuar kryesisht me shqiptarë, asnjëra parti shqiptare nuk kishte gjasa të fitojë apo të humbë ndonjë deputet, ndërsa i vetmi ndryshim mund të ndodhte në relacionin VMRO-LSDM. Madje edhe kjo dukej tejet e vështirë, sepse për fitore të LSDM-së duhej një rezultat perfekt: shqiptarët të dalin në votime më tepër se herën e parë dhe të votojnë me të madhe për LSDM-në.

Në të kaluarën një rivotim në rrethana të këtilla vërtetë do të ishte i kotë, sepse popullata shqiptare padyshim do të rrinte në shtëpi ditën e zgjedhjeve. Por Maqedonia në dy vitet e fundit noton në ujëra krejtësisht të reja dhe asgjë në politikë nuk është më si më parë. Mu për faktin se në lojë ishin vetëm LSDM dhe VMRO, pa asnjë gjasë për partitë shqiptare, rivotimi në Tearcë morri dimension krejt tjetër. Në fakt, për votuesit shqiptarë, ai u shndërrua në një lloj referendumi. Me opcionin për të votuar njërën parti maqedonase ose për të abstenuar, shqiptarëve në fakt ju parashtrua pyetje me tre përgjigje të mundshme: a preferoni LSDM-në, VMRO-në, apo nuk ju intereson fare? Në këtë kuadër pra duhet të lexohet rezultati i rivotimit. Ai ishte një referendum ku shqiptarët me votën e tyre thanë se preferojnë partneritet me LSDM-në.

 

3. Gjatë votimit të rregullt të 11 dhjetorit në vendvotimin 2011 votuesit shqiptarë ju dhanë vota të katër partive shqiptare. Ky rezultat tregoi se Tearca nuk ishte bastion i asnjërës parti, siç mund të ishin plot vendbanime tjera shqiptare. Asnjëra nuk dominoi; asnjëra nuk dështoi totalisht. Mu për këtë vendvotimi 2011 mund të merret si reprezent i gjithë shqiptarëve; pra nuk mund të thuhet se rezultati i rivotimit është pasqyrë e forcës së ndonjërës parti në atë vendvotim. Vullneti i banorëve të Tearcës, të ballafaquar mes LSDM-së, VMRO-së dhe abstenimit, duhet pra të merret si indikator i drejtë i disponimit të shqiptarëve të Maqedonisë kudo.

Në rivotimin e 25 dhjetorit dolën një numër pothuaj i njëjtë i votuesve me votimin e parë të 11 dhjetorit. Kjo menjëherë hedh poshtë abstenimin si përgjigje fituese. Ndërkaq partitë maqedonase nxorrën votuesit e tyre nga rrethi i parë, përderisa turqit përsëri dolën dhe votuan kryesisht për VMRO-në. Votat tjera ishin vota shqiptare. Në total ato ishin rreth 240, ndërsa verdikti i shqiptarëve duket se ishte 180-60 pro LSDM-së. Pra rezultati i referendumit tek shqiptarët e Tearcës ishte 3-1 në favor të LSDM-së. Duhet shtuar se pasi VMRO është në pushtet, një pjesë e votave të saja shqiptare mund të ishin hedhur për interesa (apo edhe kërcënime) të ndryshme, ndërsa votat e LSDM duket se kanë qenë vullnetare, të paktën pa interes personal.

 

4. Cili pra është vullneti i popullatës shqiptare të Maqedonisë? Cila është preferenca e shqiptarëve përballë pyetjes se kënd duan si partner qeverisës? Shqiptarët e Tearcës thanë se preferojnë LSDM-në me margjinë 3-1. Për arsyet që cekëm më lartë ky rezultat, në mos edhe më i thellë, duket si prerje e saktë e vullnetit të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Këtu gjendet përgjigja e dilemës së Ali Ahmetit, i cili në të vërtetë nuk ka nevojë për konsulta të tjera me shqiptarët, sepse ata veçmë e kanë thënë fjalën e tyre.

Individë apo grupacione të ndryshme, për iks arsye, mund të favorizojnë koalicionimin e BDI-së me VMRO-në. Argumenti më i shpeshtë, ndoshta edhe i vetmi, është se BDI duhet të respektojë vullnetin e popullatës maqedonase, ashtu siç ka bërë VMRO për shqiptarët nga viti 2008 e këtej (por jo në 1998 dhe 2006). Në mbështetje të kësaj teze citohet fakti që VMRO paska vota të pastra maqedonase, ndërsa LSDM nuk shpreh vullnetin e maqedonasve pasi për të kanë votuar plot shqiptarë. Por kjo vijë e argumentimit është e palogjikshme, sepse detyrimisht përfundon me konkluzën e mbrapshtë se nuk duhet koalicionuar me LSDM-në pasi për të kanë votuar plot shqiptarë!

Vendimi përfundimtar, me gjithë pasojat e tij, domosdo është i kryesisë së BDI-së dhe i askujt tjetër. Mirëpo nëse në vendimin e saj BDI don të udhëhiqet nga disponimi momental i shqiptarëve të Maqedonisë, asaj i mjafton të analizojë rezultatet e rivotimit në Tearcë. Shqiptarët nuk duan VMRO-në si partner për bashkëqeverisje; cilado parti që do t’a mohojë këtë vullnet padyshim do të dënohet rëndë në zgjedhjet e ardhshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button