Që nga fillimi i “Mburojës së Eufratit” janë neutralizuar 2.085 terroristë

Që nga fillimi i ofensivës “Mburoja e Eufratit” në veri të Siri, ushtria turke ka neutralizuar 1.775 terroristë të DEASH-it dhe 310 terroristë të PKK/PYD-së, raporton Anadolu Agency (AA)

Në njoftimin javor të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke theksohet se aksioni kundër terroristëve në juglindje të Turqisë është në vazhdim, si dhe vazhdon ofensiva “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë.

Si vende të aksioneve antiterroriste në njoftimin veçmas përmenden qytetet Hakkari, Sirnak, Diyarbakir, Mardin dhe Bitlis. Në kuadër të aksioneve antiterroriste në juglindje të Turqisë, më saktë në rajonet Kupeli Dagi në Sirnak, Lice dhe Hani në Diyarbakir, Sason në Batman, Genc dhe Adakli Kigi në Bingolu, dhe në rajonet në Bitlis dhe Mardin, janë neutralizuar së paku tetë terroristë.

Forcat turke të sigurisë kanë konfiskuar një top, 31 mjete të improvizuara shpërthyese, 42 pushkë, shtatë revole, 500 kilogram nitrat amoni, dhe sasi të konsiderueshme të armëve dhe municionit tjetër.

Janë shkatërruar depo dhe strehimore të cilat i kanë përdorur pjesëtarët e organizatës terroriste PKK/PYD. Gjatë aksioneve gjatë shtatë ditëve të fundit kanë humbur jetën dy ushtarë turq, ndërsa janë plagosur katër të tjerë.

Shtabi i Përgjithshëm i Turqisë ka ndarë informacione edhe lidhur me ofensivën “Mburoja e Eufratit” e cila filloi më 24 gusht në veri të Sirisë për të neutralizuar kërcënimin terrorist me theks mbi DEASH-in, si dhe me qëllim të forcimit të sigurisë në vijën kufitare siriano-turke.

Thuhet se që nga fillimi i ofensivës janë neutralizuar të paktën 1.775 terroristë të DEASH-it, në mesin e të cilëve 1.518 janë vrarë, 250 janë plagosur dhe shtatë janë kapur. Përveç kësaj, janë neutralizuar edhe 310 pjesëtarë të organizatës terroriste PKK/PYD, prej të cilëve 295 janë vrarë, katër janë plagosur dhe 11 janë dorëzuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button