Thaçi bën homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak dhe ka zbuluar shtatoren e ish-ambasadorit William Walker në këtë fshat, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Kosovës bëhet e ditur se Presidenti Thaçi është shprehur se në Reçak kishte ndodhur ajo që më së paku ishte pritur të ndodhte, por, sipas tij, krejt bota pastaj e pa sesi në Kosovë po ndodhte gjenocidi i shtetit të Serbisë mbi popullatën e pafajshme.

“Gjenocidi i shtetit të Serbisë mbi popullatën e pafajshme ia hapi sytë gjithë diplomacisë botërore”, ka thënë ai.

Thaçi ka theksuar se Shtetet e Bashkuara e kishin thënë të vërtetën e tyre, NATO-ja asokohe po përgatitej për aksion kundër forcave të ushtrisë dhe policisë serbe, si dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare kishin filluar t’i shikonin nga afër zhvillimet në Kosovë.

“Në kuadër të këtyre organizatave ndërkombëtare ishte njeriu i duhur, në emër të shtetit të duhur, pra ambasadori William Walker, me mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh presidenti Thaçi. “Walker ishte njeriu i duhur që tha të vërtetën, e cila ia hapi sytë botës dhe bota menjëherë thirri konferencën në Rambuje”, shtoi presidenti Thaçi.

“Sot çdo qytetar i vendit duhet të ndihet mirë, kudo që jeton në Kosovë e diasporë, sepse ka atributet e një çlirimtari”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Gjithashtu, presidenti i vendit tha se të gjithë duhet të punojnë për një të ardhme ku Kosova të bëhet sa më shpejtë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, para zbulimit të shtatores së ish-ambasadorit amerikan, William Walker, presidenti Thaçi e falënderoi atë për kontributin e tij për lirinë e Kosovës dhe për praninë e sotme në Reçak, duke theksuar se shtatorja e tij simbolizon të vërtetën për Kosovën para botës dhe përfaqëson simbolin e lirisë dhe të pavarësisë.

Më 15 Janar të vitit 1999 në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, kishte ndodhur një masakër kur forcat serbe, vranë 45 civilë shqiptarë, qytetarë të Kosovës. Një ditë pas kësaj masakre ish-ambasadori William Waker, i cili ishte kryesues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, shkoi në Reçak për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme kriminale. Kjo masakër njihet si një nga ngjarjet kryesore, i cili paraprin fushatën 78 ditore të bombardimeve ajrore të NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button