Merkel, fjalim simbolik në Parlament

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të flasë përpara dy dhomave të Parlamentit britanik, si dhe të takojë Mbretëreshën gjatë një vizite simbolike 1-ditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Merkel do të ndjekë gjurmët e liderëve të tjerë, si Nelson Mandela, Mikhail Gorbachev dhe Ronald Reagan, me fjalimet e tyre përpara deputetëve dhe homologëve britanikë.

Më vonë, ajo do të zhvillojë bisedime edhe me liderët e 3 partive kryesore; David Cameron, Nick Clegg dhe Ed Miliband. Mbështetja e saj shihet si decizive për suksesin e Cameron, sa i përket objektivave europiane të tij.

Kryeministri britanik ka thënë se, nëse Konservatorët fitojnë në zgjedhjet e 2015-s, ai do të rinegociojë termat e anëtarësimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian, si dhe të hedhë për votim përmes një referendumi rezultatin e negociatave, gjë që mund të ndodhë në 2017-n.

“The Guardian” raportoi të mërkurën se Berlini është i gatshëm t’i ofrojë “zgjedhje të kufizuara” Britanisë, mbi pajtueshmërinë e saj me direktivat ekzistuese të BE-së, si dhe për të siguruar se disa rregulla të tjera duhej të ishin zbatuar më me fleksibilitet.

Gazeta britanike thotë se kjo është një shenjë e fuqishme e dëshirës së Gjermanisë, për t’u siguruar se Britania do të mbetet anëtare e BE-së, edhe pse në Europë ekziston frika se referendumi mund të çojë drejt tërheqjes së britanikëve.

Duke folur të mërkurën, Cameron tha se kishte “admirim të jashtëzakonshëm” për lideren e parë femër të Gjermanisë, e cila ka fituar 3 mandate radhazi, duke nisur nga viti 2005.

Edhe pse nuk është një vizitë zyrtare shtetërore, pasi Merkel nuk është kryetare e shtetit gjerman, udhëtimi është planifikuar prej muajsh, teksa të dy qeveritë kanë qenë të vetëdijshme për domethënien politike të saj, në një kohë kur Europa gjendet në prag të ndryshimeve të mëdha.

Merkel pritet të flasë për rreth 1 orë e gjysmë, në gjermanisht, përpara një audience personalitetesh të ftuar në Pallatin Westminster, përfshi këtu deputetë, kolegë, diplomatë, biznesmenë dhe udhëheqës kulturorë.

Liderët, të cilët kanë pasur më parë nderin e të folurit përpara dy dhomave të Parlamentit britanik, përfshijnë presidentët francezë Charles de Gaulle, Valery Giscard d’Estaing dhe Francois Mitterand; presidentët amerikanë Bill Clinton dhe Barack Obama; lideri i opozitës tibetiane, Dalai Lama; politikani i Birmanisë, Aung San Suu Kyi; si dhe ish-presidenti rus Boris Yeltsin.

Paraardhësi i zonjës Merkel, Willy Brandt, iu adresua të dy dhomave të legjislativit britanik në vitin 1970.

Lajme të ngjashme

Back to top button