Reshjet e shumta të borës bllokojnë disa rrugë në Kosovë

Për shkak të reshjeve të shumta të borës, Ministria e Infrastrukturës bën të ditur se disa akse rrugore në Kosovë janë të bllokuara, sidomos ato në vendet malore, si pjesa e rrugës në pikën kufitare me Malin e Zi, rruga Brezovicë-Prevallë si dhe pjesa tjetër e kësaj rruge nga pushimoret deri te Qendra e Skijimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të mbyllura janë edhe Rruga Mitrovicë-Bajgorë dhe Rruga për fshatin Tugjevc të komunës së Kamenicës, dhe një pjesë e rrugës për Kaçanik e cila është bllokuar për qarkullimin e automjeteve të rënda-kamionëve, për shkak të pastrimit të rrugës. Ndërsa, rrugët tjera të Kosovës, duke e përfshirë edhe Autostradën “Ibrahim Rugova” janë të kalueshme.

“Ministria e Infrastrukturës, është duke punuar pa ndërprerë që të ketë një mirëmbajtje të rrugëve sipas planeve të parapara për mirëmbajtjen dimërore të këtyre rrugëve. Ekipet tona janë duke punuar pandërprerë në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme për qarkullimin e qytetarëve të vendit tone”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ndërkaq Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se shtresa e borës në disa vende arrin deri në gjysëm metër. Sipas IHMK-s sot deri në orën 14:00 në Budakovë trashësia e borës ka arritur deri në 75 centimetra, në Gadime (Lipjan) 65 cm kurse në Kotlinë (Kaçanik) 57 cm. Kurse në kryeqytet, në Prishtinë lartësia e borës ka arritur në 35 cm.

Për shkak të reshjeve të shumta sot edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka anuluar të gjitha fluturimet e mëngjesit.

Kurse sot edhe Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka njoftuar se si pasojë e reshjeve, janë shkaktuar një varg prishjes në rrjetin energjetik, në gjithë territorin e Kosovës, ku rajoni më i prekur është ai i Pejës, i Prizrenit dhe i Gjakovës. Sipas KEDS si pasojë e motit të keq ka edhe disa shtylla të thyera dhe përçues të këputur, ku më se 500 punëtorë kanë dalur në terren për t’i riparuar dëmet e krijuara.

Ndërkaq, IHMK bën të ditur se edhe në fundjavë do të mbajë mot i vranët dhe me reshje të dobëta të borës. “Temperaturat minimale gjatë vikendit parashihen të zbresin deri në minus 19 gradë Celsius, kurse maksimalet e dites në minus 7 gradë Celsius”, bëhet e ditur në një njoftim nga IHMK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button