Maqedonia do investime të huaja por investimet e huaja nuk e duan atë, shifra pesimiste

Maqedonia do investime të huaja por investimet e huaja nuk e duan Maqedoninë. Në vitet e kaluara pritshmëritë prej investuesve të huaj ishin lartë në agjendë, veçanërisht në partinë e deritanishme qeverisëse VMRO-DPMNE. Me kalimin e viteve, pritshmëritë vazhdimisht zvogëlohen, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Në programin parazgjedhor të vitit 2008, VMRO-DPMNE premtoi investime të huaja të cilat deri në vitin 2012 duhej të arrinin deri 700 milion euro për vit. Kur llogaria nuk ju doli, në zgjedhjet e parafundit të vitit 2011 premtoi investime të huaja që deri në 2015 do të arrinin deri 600 milion euro për vit, por pasi që edhe ajo u bë dëshirë e parealizuar, para zgjedhjeve në vitin 2014 i zvogëluan pritshmëritë në 3-5 përqind të bruto prodhimit vendor (BPV), prej 250 deri në 500 milion euro. Kur u pa se edhe ajo është vështirë e realizueshme, në programin parazgjedhor të vitit 2016, VMRO-DPMNE nuk përmendi numra, por tha se pret “të arrihet rritje e konsiderueshme e investimeve të huaja direkte”.

Investimet e huaja direkte në Maqedoni
Investimet e huaja direkte në Maqedoni

Ndërkohë, LSDM-ja në programin parazgjedhor thotë se fokusi do të jetë në ndërmarrjet e vendit dhe se “investimet e huaja do të jenë plotësim i atyre të vendit, por jo edhe zëvendësim i tyre”.

Njëri prej drejtorëve të Zonës Zhvillimore Teknologjike në Tetovë, e cila për momentin është e vetmja që menaxhon me parimin e partneritetit publiko-privat, Arben Halili, thotë së në programet parazgjedhore ka dëshira, e jo pritshmëri të bazuara në plane reale.

“Vendi ynë shumë vite përballet më politike shumë jostabile. Asnjë kompani e huaj serioze nuk do të investonte në një vend të këtillë, pavarësisht përqindjes që do ta fitonte me një investim të tillë”, thotë Halili.

Profesori Zoran Ivanovski, thotë se nuk ka konkurrencë të fortë në tërheqjen e investimeve të huaja. Maqedonia jep lehtësime tatimore, por atë e bëjnë edhe shumë shtete të tjera, thotë ai.

“Duhet të udhëhiqet një politike e arsyeshme në tërheqjen e investimeve të huaja, por nuk mund të bazohet i tërë zhvillimi ekonomik për atë komponentë. Ajo që duhet të merret seriozisht në konsideratë është mundësia e tërheqjes së investuesve të Maqedonisë nga jashtë, krahas investuesve vendas të cilët tashmë janë këtu, për atë se baza e zhvillimit ekonomik duhet të bazohet edhe në akumulimin e brendshëm të investuesve vendas”, thotë Ivanovski.

Investimet e huaja në 10 muajt e parë të vitit të kaluar ishin 197 milion euro, tregojnë të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë. Deri në fund të vitit ato më siguri do të jenë ndërmjet 200 dhe 250 milion euro, që është rreth 2.5 përqind e BPV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button