Prishtinë, marsh protestues për lirimin e Ramush Haradinajt

Qytetarë të shumtë të Kosovës sot morën pjesë në marshin protestues të organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për të kundërshtuar ndalimin e liderit të saj Ramush Haradinaj. Kësaj proteste iu bashkuan edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Anadolu Agency (AA).

Mijëra qytetarë sot u mblodhën përballë Pallatit të Rinisë në Prishtinë për të protestuar me moton “Ramush Haradinaj është Kosova”. Para fillimit të marshimit, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini mbajti një fjalim rasti.

Duke vënë në dukje se familja Haradinaj janë gurët e themeleve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, Gjini tha se “Franca është vend mik, kjo nuk është drejtësi, nuk është drejtësi të mbahet Ramush Haradinaj me akuza të lëshuara nga Serbia. Nuk është drejtësi të mbahet një njeri që i ka vënë themel lirisë sonë”.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës nuk po kujdeset për vlerat e qytetarëve dhe për vlerat e lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe shtoi se këto poshtërime që po i bëhen Kosovës nga Serbia duhet të ndalen.

“Është m’u kjo Serbi që ka vrarë fëmijë, ka djegur shtëpi, ka vrarë pleq dhe plaka, që e ka poshtëruar dhe ka përzënë popullin tonë. Nuk kemi shkuar ne në Serbi, nuk ka shkuar Ramush Haradinaj në Serbi për të bërë krime. Kur janë bërë krimet në Kosovë këtu kanë qenë policia dhe ushtria serbe. Ata kanë bërë krime jo ushtarët tanë”, Gjini.

Para fillimit të marshimt, Gjini po ashtu rikujtoi se ambasada franceze është ambasadë mike dhe që Franca është një shtet mik. Ai theksoi që kërkesa e vetme e tyre është Ramush Haradinaj të jetë në Kosovë sa më shpejtë.

Pas këtij fjalimi qytetarët marshuan në mënyrë të qetë drejt ambasadëz franceze me sllogane “Liri për Ramushin”, “Ramush ti ku je, krejt Kosovën mbas e ke”. Zyrarët e AAK-së këtu dorëzuan një letër ambasadës franceze, ku kërkuan që ky proces të kryhet sa më shpejtë dhe që Haradinaj të kthehet në Kosovë.

Grupi Parlamentar i AAK-së, po ashtu ka bërë të ditur se ka filluar nismën e thirrjes së një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, dhe se tashmë i ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme, për të kërkuar kthimin e Haradinajt në atdhe si dhe për pezullimin e bisedimeve me Serbinë.

Ndërkaq, sot edhe vetë Haradinaj ka reaguar për ndalimin e tij në Francë, me një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook. Ai ka shprehur se rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush

“Është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviqit, ndërsa shtetet e tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjera, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë urdhër arrestet e tyre. Ne si popull e si individë, nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviqit e lëre më nga fletarrestet e tij. Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, ‘Rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush. Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush! Do të takohemi shpejt në Kosovë!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqës i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, para dy ditëve u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhër arresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Ai në vitin 2015 ishte arrestuar edhe në Slloveni dhe më pas është liruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button