Maqedonia në vitin 2017 do të harxhojë për 2,3 për qind më shumë energji

Konsumi i përgjithshëm i energjisë në vitin 2017 do të rritet për 2,3 për qind dhe konsumi i energjisë elektrike do të varet nga funksionimi i kapaciteteve industriale që përbëjnë 20 për qind të konsumit të përgjithshëm.

Këtë vit trafiku do të jetë konsumatori më i madh i energjisë, ndërsa në konsumin total pjesëmarrje më të madhe prej 50 për qind do të kenë derivatet e naftës, energjia elektrike do të marrë pjesë me 27 ndërsa thëngjilli me 6 për qind parasheh Propozim bilanci i energjisë për vitin  2017.

Bilanci energjetik është një dokument që përmban konsumin e përgjithshëm të të gjithë energjisë në vend për një vit dhe përshkruan konsumatorët ose konsumin e energjisë. Për periudhën 2013 – 2017 parashikon rritje të konsumit të të gjitha burimeve të energjisë me normë mesatare prej 3,3 për qind në vit.

Ekspertët presin që konsumi i energjisë elektrike për amvisëritë do të mbetet i pandryshuar, dhe sipas tyre, reduktimi i saj mund të arrihet vetëm pas gazifikimit të plotë të vendit.

Në bilanc është paraparë edhe sivjet të rritet pjesëmarrja e burimeve ripërtëritëse të energjisë, por, sipas analistëve, hidroelektranat dhe parku me erë nuk mund ta zbusin mungesën e energjisë, pasi që ato varen prej kushteve të motit. Konsumi i energjisë elektrike do të varret nga puna e Makstilit, Fenit dhe Jugohromit. Parashihet se do të ketë gjendje hidrologjike të pavolitshme dhe do të rritet konsumi i gazit.

“Nëse konsumi i energjisë elektrike zvogëlohet për dy për qind importi do të jetë 30 për qind, ndërsa prodhimi vendor 70 për qind. Nëse, kombinatet metalurgjike punojnë me fuqi të plotë, prodhimi vendor do të mbetet në nivelin e njëjtë, ndërsa importi do të arrijë deri në 40 për qind”, thotë Koço Angjushev, kryetar i Asociacionit energjetik të Maqedonisë.

Ai thekson se është duke u zvogëluar konsumi i energjisë në vend dhe se kjo kryesisht i referohet ndalimit të punës së kombinateve të mëdha, si Jugohromi ndërsa me gjysmë kapaciteti punojnë edhe Makstil dhe Industria Feni.

Burimet ripërtëritëse të energjisë, të cilat para disa vitesh ishin zero për qind, ndërsa sot janë gjashtë deri në shtatë për qind të bilancit energjetik, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme ta supstituojnë prodhimin e termoelektranave.

Maqedonia në vitin 2014 ka harxhuar 74.759 teraxhulë energji të të gjitha llojeve, në vitin 2015 konsumi ishte 79.709, vitin e kaluar 82.578 ndërsa në vitin 2017 parashihet të harxhohen 84.477 teraxhulë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button