Merkel dhe Olland e dënuan sulmin në Stamboll

Kancelarja gjermane, Angela Merkel sot shprehu ngushëllim lidhur me sulmin gjatë festës së Vitit të Ri në klubin e natës në Stamboll, në të cilin janë vrarë 39 dhe janë plagosur 70 persona, duke theksuar se “terroristët kanë kryer sulm johuman ndaj njerëzve, të cilët kanë dashur që së bashku ta festojnë Vitin e Ri”.

“Mendimet e mia sot janë me viktimat, familjet e tyre dhe miqtë”, tha Merkel.

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmaer gjithashtu dërgoi ngushëllim për ata të cilët i kanë humbur të afërmit e tyre.

Ai duke e dënuar këtë “sulm qyqar dhe mizor” theksoi se vendi i tij “është pranë Turqisë në këto momente të vështira”.

Presidenti i Francës, Fransoa Olland dërgoi mesazh solidariteti për popullin e Turqisë pas sulmit, kumtoi Pallati i Eliseut.

“Presidenti i Republikës ashpër e dënon sulmin terrorist, në të cilin jetën e humbën të paktën 39 persona gjatë ahengut të Vitit të Ri në diskotekën e Stambollit”, thuhet në kumtesë.

Olland theksoi se është e domosdoshme të bashkohen forcat dhe me angazhime të përbashkëta të luftohet terrorizmi kudo në botë.

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Anxhelino Alfano deklaroi se nevojitet unitet midis shteteve dhe kontinenteve që të luftohet terrorizmi.

Alfano shkroi në Tuiter se sulmi i Vitit të Ri në Stamboll është tregues se lufta kundër terrorizmit nuk ndalon gjatë festave dhe se nuk ka lot të mjaftueshme për ta shprehur pikëllimin e tij për incidentin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button