Protesta kundër devijimit të Radikës edhe para Komisionit Evropian

 “Meqë ELEM-i dhe Qeveria e Maqedonisë nuk ka ndërmend të ndalojë projektin “Fusha e Lukovës” së shpejti do të organizojmë protestë masive para selisë së Komisionit  Evropian” deklaroi për Portalb, Artan Karpuzi, dibrani nga Diaspora e Italisë.

Ai thotë se protesta që ata do ta organizojnë vjen si rrjedhojë e bisedave të përbashkëta mes grupeve të ndryshme që veprojnë dhe bashkëpunojnë për të ndaluar realizimin e projektit të Fushës së Lukovës që do ta dëmtonte lumin Radika dhe natyrën përreth.

 I gjithë reagimi jonë vjen në saj të neglizhencës së Qeverisë së FYROM dhe ELEM të cilët nuk lëvizin qëndrimin e tyre për projektin që tanimë e kemi të njohur të gjithë. Së shpejti do të kemi mbledhje dhe takime të ndryshme me banorët e Rekës që jetojnë dhe veprojnë në Diasporën e Italisë, meqë vendet tona na ndajnë në largësi prej 350 km. Pasi të përfundojmë mbledhjet e shumta do të vendosim datën e saktë për protestën e radhës në KE. Vlen të përmendim edhe atë se ne kemi kontaktet tona edhe në Belgjikë dhe Gjermani për të sensibilizuar edhe më shumë problemin e devijimit të lumit Radikë. Ne nuk ndalemi, Radika do të vazhdojë rrjedhën e saj natyrore ”, nënvizoi Artan Karpuzi nga Diaspora e Italisë.

Muajt e fundit janë zhvilluar protesta të dibranëve dhe atyre që janë kundër projektit të fjalë, në Dibër, Shkup, në disa qytete të Evropës dhe Amerikës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button