Tymoshenko: Asnjë pikë gjaku e derdhur nuk do të harrohet (Video)

E çliruar nga gardianët e armatosur të burgut dhe e ngjitur në foltoren e sheshit “Pavarësia” me karrocë, ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko ka bërë një rikthim triumfues me një fjalim energjik para turmës në Kiev, të cilëve u kërkoi të qëndronin në rrugë derisa “misioni” të plotësohet.

“Ju jeni gjëja më e çmuar e Ukrainës”, tha ajo. “Njerëzit që janë këtu, njerëzit që kanë vdekur këtu, janë heronj. Asnjë politikan nuk mund të bënte këtë që keni bëri ju.”

Në një ditë dramatike, mbështetësit e Tymoshenko-s morën kontrollin e Kievit dhe qeverisë, ndërsa deputetët votuan shkarkimin e Presidentit, Viktor Yanukovych.

Tymoshenko, e cila ka kaluar dy vitet e fundit në burg, doli në orët e vona të së shtunës para turmës së dalldisur, që vazhdimisht thërriste në mbështetje të saj “heronjtë nuk vdesin kurrë, heronjtë nuk vdesin kurrë”.

“Ne nuk do të largohemi nga ky shesh derisa të arrihet ndryshimi i vërtetë në këtë vend”, tha ajo. “Askush nuk mund të bënte këtë që keni bërë ju, duke u përpjekur të hiqni këtë kancer dhe për këtë ju desh të bëheshit barrikadë dhe të përballeshit me plumbat e snajperave. Kjo do të thotë se kombi nuk mposhtet kurrë. Dua që të ndjeni forcën se ju mund ta ndryshoni Ukrainën. Ju jeni frymëzimi për ta bërë këtë.”

Duke premtuar se do të garojë për presidente, ajo tha se, “asnjë pikë gjaku që është derdhur nuk do të harrohet” si një fishekzjarr që shpërthen mbi Kiev, duke paralajmëruar se zyrtarët do të mbajnë përgjegjësi për atë që ka ndodhur.

“Njerëzit që vdiqën janë çlirimtarë. Njerëzit që kanë qenë këtu ishin gati për të dhënë jetën për vendin e tyre. Ky është një vend i shenjtë që gjithmonë do të jetë pjesë e energjisë sonë.”

Lajme të ngjashme

Back to top button