BDI-ja mes partnerit “anti-shqiptar” dhe “rregullit të pashkruar”

Zgjedhjet e 11 dhjetorit e shpallën fitues VMRO DPMNE-në, në krye me Nikolla Gruevskin. Ky i fundit më 31 janar do të duhet të formojë qeverinë e re. Fakti se nuk i mjaftojnë 51 mandate e detyron të bëjë koalicion me parti politike shqiptare. 10 mandatet e BDI-së do t’ia zgjidhin problemin me numrin e pamjaftueshëm për formim të qeverisë së re, por në deklaratat për media BDI-ja u prononcua se po bën kalkulime për koalicion me LSDM-në.

VMRO DPMNE-ja për vite me radhë udhëhoqi fushatë anti-shqiptare dhe së fundi humbi kredibilitetin në të gjitha sferat e jetës. Prandaj BDI-ja nuk do të bëjë koalicion me të pavarësisht se është fituese e zgjedhjeve; pavarësisht se kjo do të ishte në kundërshtim me rregullin se partia fituese maqedonase duhet të formojë qeveri me partinë shqiptare që ka fituar më shumë vota. Rregull kjo e pashkruar që në veçanti është promovuar nga BDI-ja për vite më radhë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend.

Sipas ish-deputetit, Mersel Bilalli, BDI-ja do të bëjë koalicion me LSDM-në, duke shkelur mbi rregullën e pashkruar, sepse sipas tij, shumëçka ka ndryshuar prej atëherë. Ai thekson tre arsye:

“Së pari, tani një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kanë votuar për opsionin LSDM që në një farë forme është mesazh serioz dhe lëkundje serioze të aspektit përfaqësues shqiptar nga partitë gjoja shqiptare, të zbrazëta.

E dyta në aspekt të rregullativës kushtetuese nuk ka zbrazëtirë. Pra në qoftë se një subjekt politik i cili ka fituar më së shumti vota nuk arrin të bëjë koalicion, do të bëjë i dyti.

E treta, VMRO DPMNE-ja ka humbur kredibilitetin në çdo segment që ta përfaqësojë shtetin dhe kjo është një fazë kalimtare në të cilën domosdo duhet ta gjejmë rrugën. Flasim për parime themelore, jo për shumicë e demokraci, bisedohet për shpëtim nga situata dramatike në të gjitha segmentet që kanë ndodhur në këtë shtet” sqaroi Bilalli.

Ish-ministri i financave, Xhevdet Hajredini beson se BDI-ja është e detyruar të bëjë koalicion me LSDM-në, për arsye se ky është përcaktimi i qytetarëve shqiptarë dhe partive tjera shqiptare dhe se këtë herë vetëm VMRO DPMNE-ja me BDI-në nuk mund të formojnë qeveri. Kështu sipas tij, pavarësisht se mos-hyrja në qeveri me VMRO DPMNE-në e rrezikon BDI-në të ballafaqohet edhe me publikimin e shumë veprave penale dhe amorale të kuadrove të saja, nga të cilat disa “do të shkojnë në burg bashkë me Nikolla Gruevskin e VMRO-së”.

“Po të ishte situata që BDI-ja të bëjë atë që do, do të kishte shkuar menjëherë me VMRO-në në koalicion. Jo për shkak të principit, për të cilin kemi qenë të gjithë ne në të kaluarën (sepse e kundërta ishte e papranueshme për shqiptarët). Fatkeqësisht BDI-ja gjatë kohës që ishte në pushtet me VMRO-në e kompromentoi principin, dmth si një parti që i përfaqëson interesat e shqiptarëve i tradhëtoi interesat e shqiptarëve. Dhe si rezultat e mori përgjigjen nga populli shqiptar dhe kjo nuk do të ndodh. Jam i bindur” theksoi Hajredini.

“Meqë shumica e popullit shqiptar dhe të gjitha partitë tjera politike shqiptare janë rreshtuar që në qoftë se do përkrahje BDI-ja patjetër të bëjë koalicion me LSDM-në. Tjetër rrugë nuk ka” shtoi.

Dy raste kur VMRO DPMNE-ja nuk formoi qeveri me fituesin shqiptar por me PDSH-në 

Në historinë politike të Maqedonisë janë shënuar dy raste kur partia fituese maqedonase ka formuar qeveri me partinë shqiptare që nuk ka fituar shumicën e votave të qytetarëve shqiptarë. Edhe atë:

  • Në zgjedhjet e vitit 1998 prej partive shqiptare më së shumti vota fitoi PPD-ja, por VMRO DPMNE-ja (në krye me Lupço Georgievskin) formoi qeveri me PDSH-në (në krye me Arbër Xhaferin), me të cilën bashkë-qeverisi deri në vitin 2002;
  • Në zgjedhjet e vitit 2006, BDI-ja fitoi 17 mandate, kurse PDSH-ja 11. Por mandatari për formimin e qeverisë së atëhershme (lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski) formoi qeveri me PDSH-në, me të cilën qeverisi deri në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2008. Që atëherë BDI-ja theksonte nevojën e zbatimit të rregullës së pashkruar, se partia fituese maqedonase duhej të formojë qeveri me atë parti shqiptare që fiton më së shumti vota./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button