Në Maqedoni vitin e kaluar janë zbuluar 15 viktima të tregtisë me njerëz

Në Maqedoni vitin e kaluar janë zbuluar 15 viktima të tregtisë me njerëz, të gjitha të gjinisë femërore. Prej tyre nëntë janë të mitura. Raporti vjetor për luftë kundër këtij lloji të krimit tregon se Maqedonia mbetet vend i prejardhjes, tranzitit dhe destinacionit të viktimave të tregtisë me njerëz.

Mes viktimave të cilët janë shtetas të Maqedonisë, pjesa më e madhe vijnë nga familje të varfra nga Gjevgjelia, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari. “Më së shpeshti bëhet fjalë për persona prej 13 deri 22 vjeçar me arsim të mesëm, fillor ose pa kurrfarë arsimi. Ata më së shpeshti janë të kombësisë maqedonase, shqiptare ose rome dhe pothuaj sipas rregullës vijnë nga familje pa harmoni e me prindër të divorcuar”, tha ministrja e Punëve të Brendshme Gordana  Jankullovska në prezantimin e sotëm të Raportit vjetor.

Ajo informoi se janë ngritur padi penale kundër tetë personave, prej të cilëve dy nëpunës policorë dhe se gjykata ka vepruar për 54 lëndë, me ç ‘rast janë akuzuar 85 persona, Prej tyre, dënim me burg prej gjashtë deri 10 vjet u është shqiptuar 82 personave, ndërsa dy janë dënuar me kusht.

Janë identifikuar edhe 82 viktima eventuale, të cilët vijnë nga kategori të rrezikuara sociale. Jankullovska paralajmëroi se do të vazhdojë përparimi i mekanizmave për luftë kundër këtij lloji të krimit

Lajme të ngjashme

Back to top button