Shqiptarët nuk duan qeveri me Gruevskin, a ka debat të mjaftueshëm në opinion?

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me theks të veçantë në taborin politik shqiptar, kanë nxitur debat të madh si brenda partive ashtu edhe në opinion. Cila është matematika e numrave që duhet të formojnë Qeverinë dhe a duhet shqiptarët në një tryezë të përbashkët, ta diskutojnë pozicionin e tyre në Maqedoni? Janë çështje këto me të cilat nuk pajtohen as partitë politike por as opinioni i gjerë, shkruan Portalb.mk.

Thirrja e Ali Ahmetit, liderit të BDI, për takim të përbashkët ka kulmuar me debate të ashpra se a duhet të shkohet në takimin e të njëjtit apo duhet bojkotuar. Kjo ngre çështjen se a i duhet shqiptarëve debat i ashpër për këtë pyetje kur edhe nga rezultatet e zgjedhjeve edhe nga disponimi i mbarë qytetarëve të Maqedonisë doli se qytetarët janë kundër çfarëdo qeverie me Gruevskin?!

Nga këndvështrimi i gazetarit Nazim Rashidi, praktika e demokracive të zhvilluara, të cilat duam t’i ndjekim, thotë se pas rezultateve dhe kur pranohet verdikti i zgjedhësve, punohet për të ardhmen e qytetarëve me atë rezultat të krijuar.

“Në rastin tonë, sa do që nuk na pëlqejnë rezultatet, ne kemi tashmë një realitet krejt tjetër politik. Në këtë kontekst, më shqetëson dhe zhgënjen mungesa e përgjegjshmërisë. Çdo lloj bashkëpunimi i mundshëm nuk do bëhet për hir të partive, ose individëve nëpër parti, por në këtë rast për hir të njerëzve. Legjitimitetin, atë që e kanë marrë, subjektet politike e kanë nga votuesit dhe prandaj respektohet vullneti i tyre. Nuk e kuptoj mungesën e dëshirës për të biseduar, të bisedosh nuk do të thotë të biesh dakord. Shqiptarët asnjëherë s’kanë pasur kaq pushtet vendimmarrës për ekzekutivin e ri, dhe të mos i përgjigjesh këtij realiteti më duket e patolerueshme. Aq më shumë më duket e çuditshme, se është sjellje si atyre që njerëzit nuk duan t’i shohin më në qeveri”, theksoi për Portalb Rashidi.

Xhelal Neziri, analist politik, situatën e fundit nuk e sheh si armiqësi, por si një debat i shëndoshë në një shoqëri demokratike. Ai vlerëson se çdo bashkim parazgjedhor bëhet për platforma, kurse koalicionet paszgjedhore janë numra për pushtet.

“Çdo bashkim apo koalicionim bëhet për të ndryshuar gjendjen ose për të mbajtur status quo-në. Një parti që ka dalë në skenë për të ndryshuar status quo-në, që fushatën e ka bazuar pikërisht mbi akuzat e atyre që janë përgjegjës për këtë, është politikisht jomorale të lidhë koalicion pikërisht me partinë që ka shkaktuar këtë status quo. Aq më tepër me këtë koalicion të pretendosh në ndryshime. Përderisa BDI nuk reformohet, që do të thotë përgjegjësi për njerëzit që ushqyen status quo-në për gati 15 vite, çdo bashkëpunim do të ishte baraz me vetëvrasje politike për partitë e reja”, sqaroi për Portalb Neziri.

Nëse partitë, shton ai, u përmbahen platformave të tyre, edhe pa bashkime folklorike i kanë të qarta synimet dhe vijat e kuqe.

“Shqiptarët në zgjedhjet e fundit votuan për ndryshime, e ky ndryshim nuk vjen nga ata që kanë shkaktuar status quo-në. Njëjtë sikur nuk mund të pritet që VMRO-DPMNE të bëjë ndryshime, ndërkohë që është përgjegjëse për këtë gjendje. Në rast se VMRO dhe BDI do të ri formatohet, atëherë kanë kredi për të pretenduar dhe realizuar ndryshime. Çdo spektakël që shfaqet në cirkun politik të Maqedonisë në këtë periudhë ka për qëllim vetëm pushtetin, e assesi ndryshimin”, përfundoi Neziri. /Portalb.mk.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button