Ahmeti: Brenda 24 muajve do të kemi 24 orë ujë

Në vazhdën e përpjekjeve për furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla, si dhe me inspektorë e inxhinierë të tjerë, vizituan burimet nëntokësore të ujit në parkun “Gërmia”.

“Më herët kemi filluar me identifikimin e burimeve të ujit në parkun e Gërmisë. Ka shumë burime të ujit këtu, që asnjëherë nuk janë përdorur për furnizimin e qytetit me ujë, por janë përdorur vetëm për mbushjen e pishinës së Gërmisë. Këtu janë disa gypa përmes të cilëve furnizohen edhe lokalet e kësaj pjese”, tha ndër të tjera Ahmeti, transmeton RTK.

Ai më tej shtoi se Komuna e Prishtinës ka diskutuar edhe me Ujësjellësin, i cili do të fillojë shpimet e reja në këtë zonë nga fillimi i javës tjetër. “Ne sot do t’i dërgojmë edhe një kërkesë zyrtare Kompanisë së Ujësjellësit, ku do të kërkojmë një bashkëpunim dinamik dhe më të ngushtë lidhur me hartat që kemi për burime nëntokësorë të ujit në mënyrë që të fillojnë shpimet, të ndërtohen puse të reja, dhe të lidhen ato me Ujësjellësin”, u shpreh Ahmeti, duke shtuar se nga këto burime do të mund të furnizohen disa lagje të qytetit.

Me burimet e ujit në Fushën e Pajtimit, në Llukar, në Gërmi, me investimet e nevojshme në lumin Kaçandoll, me mbushjen e liqenit të Badovcit nga Ujmani që po e bën Ibër-Lepenci, dhe me investimet prej 17 milionë euro në rrjetin e Prishtinës, brenda 24 muajve do të kemi 24 orë ujë për të gjithë qytetarët tanë.

”Burimet nëntokesore të Kolevicës dhe burimi i Gërmisë paraqesin resurset natyrore prej të cilave është furnizuar Qyteti i Prishtinës në vitet 1950-1970”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës. 

Lajme të ngjashme

Back to top button