Mesi e bëri të qajë Bernabeun

Barcelona është fituese e superderbit “El Clasico”, pasi e ka mposhtur Real Madridin në “Santiago Bernabeu” me rezultat 4:3.

Një fillim shkatërrues i mysafirëve, të cilët arritën ta zhbllokojnë rezultatin që në minutën e shtatë. Messi asistoi te Andres Iniesta, i cili shënoi me të majtën.

Në vazhdim, Benzema pati një rast të shkëlqyer për të barazuar, por dështoi. Të njëjtën e bëri në anën tjetër edhe Leo Messi, i cili nuk u tregua i saktë përballë Diego Lopez.

Ndërkohë, Di Maria nuk ndalej së krijuari raste. Ai dërgoi një harkim nga e majta dhe kësaj radhe, Karim Benzema ishte i saktë duke shënuar me kokë (20’). Përsëri rezultoi i suksesshëm, kombinimi Di Maria-Benzema. Argjentinasi e dërgoi topin në zonë, ku francezi e rregulloi dhe e dërgoi në rrjet (24’).

Dhe mysafirët u treguan më efikas në minutat e mbetura. Pas një kombinimi me Neymar, Lionel Messi arriti ta barazojë rezultatin (42’).

Një ndërhyrje të Dani Alves në Cristiano Ronaldon (që dukej jashtë zone), arbitri e ndëshkoi me penalti. CR7 e konvertoi në gol nga pika e bardhë (55’).

Një pasiguri në mbrojtjen e vendase e shfrytëzoi Neymar duke nxjerrë penalti, ndërkohë që Sergio Ramos u përjashtua me të kuq pas tërheqjes së brazilianit në zonë. Lionel Messi u tregua i saktë nga penaltia (65’).

Në vazhdim nikoqirët nuk dorëzoheshin përkundër inferioritetit numerik në fushë, ndërsa nga ana tjetër një goditje e Dani Alves u përplas në shtyllë.

Megjithatë, superioriteti numerik i mysafirëve erdhi në pah dhe Xabi Alonso shkaktoi penalti duke ndërhyrë në Iniestan. Lionel Messi kompletoi het-trikun (84’). Argjentinasi bëhet lojtari i parë në histori që shënon het-trik në “Santiago Bernabeu” gjatë një ‘El Clasico’.

Lajme të ngjashme

Back to top button